“Debutimi i Kosovës në Lojërat Olimpike, realizim i ëndrrës së madhe”

29.07.2016 20:59
“Debutimi i Kosovës në Lojërat Olimpike, realizim i ëndrrës së madhe”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se depërtimi i Kosovës në Lojërat Olimpike është përmbushje e ëndrrës së shumëpritur.

“Është nder dhe kënaqësi që jemi mbledhur sonte këtu në prag të debutimit historik të Kosovës në Lojërat Olimpike”.

“Debutimi i Republikës sonë në Lojërat Olimpike është përmbueshje e ëndrrës tonë të shumëpritur, kujtojmë të gjithë sportistët dhe punonjësit sportivë që mbajtën gjallë ëndrrën për sportistët e Kosovës”.

Thaçi që këto komente i bëri në ceremoninë e madhe të dorëzimit të flamurit të Kosovës atletëve, që është duke u zhvilluar në parkun e Gërmisë tha se pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nuk ishte synim vetëm njohja politike por edhe ndërkombëtarizimi i sportit, njofton Klan Kosova.

“Në vitin 2014 jemi pranuar në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që solli edhe pranimin e Kosovës në 22 federata të ndryshme sportive, në maj të këtij viti, vendi ynë u bë pjesë e UEFA-së dhe FIFA-s”.

“Kemi Majlindën dy herë kampione e botës, tri herë kampione e Evropës, kemi Nora Gjakovën që na bëri krenar në Lojërat Olimpike në BAKU, janë edhe sportistët tjerë që shkëlqyen me paraqitjet e tyre”.