De Biazi viziton shqiptarët e Serisë B me ftesë nga kundërshtarët

De Biazi viziton shqiptarët e Serisë B me ftesë nga kundërshtarët

Gianni De Biasi sot ka qenë në tribunën VIP të stadiumit të qytetit të Ferrarës, për të ndjekur ndeshjen mes SPAL dhe Pizës. Trajneri ka drejtuar për dy vite skuadrën e SPAL, e cila kryeson aktualisht në Serinë B dhe ka shanse të mëdha për t’u ngjitur në A.

Meqë ai kishte premtuar se do t’i ndiqte në një ndeshje në stadium bardhekaltërit, ka vendosur që ta bëjë këtë në një ndeshje ku të kishte mundësinë të ndiqte nga afër edhe futbollistë të përfaqësueses shqiptare.

Sot, te Piza janë aktivizuar Manaj si titullar e Çani si zëvendësues, ndaj De Biazi ka pasur mundësinë t’i shihte të dy në veprim.

I ftuar nga kundërshtari i Pizës, SPAL, ai ka zbritur në fushën e lojës në pushimin e dy pjesëve për të marrë duartrokitjet e publikut, bashkë me një tjetër legjendë të klubit, Saul Malatrasi.