De Biazi nuk shfaqë optimizëm para ndeshjes kundër Italisë

09.03.2017 20:29
De Biazi nuk shfaqë optimizëm para ndeshjes kundër Italisë

Problemet e fundit të disa lojtarëve, sa me dëmtimet dhe sa me mungesën e aktivizimeve, e kanë pezmatuar në një farë mënyre trajnerin e përfaqësueses kuqezi Giani De Biasi.

Në një intervistë për Top Channel, trajneri italian nënkupton se i duhet një mrekulli për të mos humbur në ndeshjen ndaj Italisë më 24 mars në Palermo.

“Dëshironim që të vinim në mënyrën më të mirë të mundshme tek kjo ndeshje. Megjithatë do të përpiqemi sa më shumë që të riparojmë dhe të ngushtojmë diferencën mes dy skuadrave.  Ne në grupin tonë kemi lojtarë që janë shumë të mirë.Sigurisht ata kane nevojë për besim dhe të inkurajohen nga të gjithë sepse i pret një ndeshje shumë e fortë”, tha De Biasi.

Superliga duket se do të jetë një opsion serioz në hartimin e listës së De Biasit për dy ndeshjet e radhës, me Italinë zyrtare dhe me Bosnjën miqësore dy ditë pas saj.

“Unë Superligën tuaj e ndjek, por e ndjek më nga afër se unë bashkëpunëtori im Bushi, për këtë jemi në kontakt vazhdimisht. Nëse do të ketë apo jo lojtar nga Superliga duhet të presësh ditën e hënë më datë 20 mars, aty më pas mund të më pyesni përse është ky apo përse nuk është ai”, u shpreh trajneri i kuqezinjve.

Në ndeshjen përball Italisë në portën e Shqipërisë do të jetë njëri nga dy portierët rezervë Alban Hoxha ose Tomas Strakosha.

“I shoh të dy portierët në formë shumë të mirë, njeri ekspert për moshën që ka dhe tjetri ka më shumë eksperiencë në kampionatin që luan, kështu do të na mbetet në momentin e fundit për të bërë vlerësimin. Sigurisht që njeri ka më shumë avantazh për mua, por nuk ta them”, bëri të ditur De Biasi.

Fundi i këtyre eliminatoreve është edhe fundi i kontratës së dytë të De Biasit si trajner i përfaqësueses kuqezi.

“Aktualisht nuk po e mendoj fare, kur të vij momenti do të ulem bashkë me presidentin dhe do të vendosim çfarë do të bëjmë”, tha ai.