De Biasi i kundërpërgjigjet Xhakës

De Biasi i kundërpërgjigjet Xhakës

Gianni De Biasi ka dalë sot në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bosnjën. Por më shumë se sa për ndeshjen, është folur për polemikat ditëve të fundit, duke filluar që nga përplasja tashmë publike me Taulant Xhakën.

De Biasi ka thënë se kishte tentuar ta mbrojë Xhakën, edhe pasi mesfushori i Baselit ishte larguar pa leje nga kombëtarja, pas ndeshjes me Italinë në Palermo.

“Sepse trajneri është 60 vjeç kurse Xhaka është 25. Trajneri mundohet të mbrojë futbollistët e tij ndërsa  futbollistët duan që unë të tregoj të vërtetën deri ën fund. Ndoshta është më mirë që jo”, ka thënë De Biasi, njofton Panorama-sport.

“Unë mendoj që lojtari duhet të respektojë vendimet e trajnerit dhe nëse ndonjëri e ndjen veten absolutisht më i forti, ta tregojë në fushë. Unë i kam dhënë gjithmonë këto mundësi. Janë disa momente kur unë kam bërë zgjedhje të ndryshme dhe duhet të pranosh zgjedhjet e trajnerit i cili është këtu për të mirën e ekipit dhe jo për te keqen,. Pastaj nëse ndokush ndjehet i sakrifikuar ky nuk është problemi im”, ka thënë tekniku italian.

Ish-trajneri i Torinos dhe Levantes ka thënë se vetëm ai vendos se kush duhet të luajë në formacionin startues. Ka thënë se futbollistët duhet ta tregojnë në fushë, nëse e meritojnë të luajnë.

“Trajneri është ai që zgjedh se kush bëhet pjesë e 11 dhe 23, pastaj nëse ndonjë përjashton veten… Unë jam mësuar që përballë vështirësive të reagoj, nuk largohem me vrap nga vështirësitë. Nëse unë e ndjej veten më të fortë se të tjerët, e tregoj në stërvitje, në fushë, kur luaj në ndeshjet me kombëtaren. Nuk është rastësi që të grumbulloj si futbollist, pasi paraqitesh mirë me klubin tënd. Por mund të ndodhë edhe që të mos luash”, u shpreh ai.