De Biasi: Asnjë futbollist i Shqipërisë nuk do t’i bashkohet Kosovës

De Biasi: Asnjë futbollist i Shqipërisë nuk do t’i bashkohet Kosovës

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka deklaruar se asnjëri nga futbollistët e skuadrës së tij që kanë origjinë nga Kosova nuk do të largohen nga skuadra kuqezi, pasi ata kanë një akord me Federatën eFutbollit të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Në një intervistë për emisionin “Rruga drejtë Rusisë”, i cili bën reportazhe të ekipeve kombëtare evropiane drejtë kualifikimeve për Botërorin e 2018-ës, trajneri italian ka hequr dyshimet se disa prej yjeve të Shqipërisë mund ta linin atë për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës.

“Gjysma e futbollistëve tonë janë kosovarë të cilët kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Ata kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të lirë sepse janë shqiptarë. Edhe pasi të njihet Kosova nga FIFA askush nuk do të largohet nga Kombëtarja. Ne kemi një akord me vëllezërit tanë kosovarë që ata që luajnë aktualisht nuk do të thirren nga Kosova”, deklaroi trajneri më i suksesshëm në histori të ekipit Kombëtarë Shqiptarë.

Po ashtu në fund të intervistës ai foli edhe për të ardhmen e tij, duke treguar se synon të bëjë një hap më të madh në karrierë.

“Sfida është pjesë e stilit tim të jetës dhe me Shqipërinë unë fitova vetëm sfidën e parë. Tani kemi ende sfida përpara dhe po përgatitemi. Çdo njeri kërkon të prekë limite të reja dhe unë shpresoj që në të ardhmen të kem mundësinë të drejtoj një skuadër apo një Kombëtare më të madhe”, tha De Biasi.

De Biazi ka marrë drejtimin e skuadrës kuqezi që nga dhjetori i vitit 2011 dhe ka një kontratë që e lidhë atë me Shqipërinë deri në fund të vitit 2017.