Darka e Thaçit me mësimdhënësit e Drenasit është paguar nga PDK-ja

Darka e Thaçit me mësimdhënësit e Drenasit është paguar nga PDK-ja

Presidenti Hashim Thaçi kishte vendosur të shkonte në një darkë me mësimdhënësit e Komunës së Drenasit tri javë para se kjo komunë të shkonte në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës.

Darka ishte organizuar në një restorant në Drenas dhe zyrtarisht ishte titulluar “Darkë me presidentin”, me 11 nëntor të vitit të kaluar.

Opozita dhe shoqëria civile e kishin kritikuar presidentin për një veprim jo të mençur dhe në kundërshtim me rolin apolitik të presidentit, por edhe ministri Arsim Bajrami por edhe vet Komuna e Drenasit kishin thënë se darka ishte organizuar nga Drejtoria për Arsim në Drenas.

Madje ishte publikuar edhe një dokument zyrtar, i hartuar nga Drejtoria Komunale për Arsim, “Raport me rastin e organizimit të darkës me Ministrin e Arsimit z.Arsim Bajrami”, e në të cilën thuhet se kanë marrë pjesë 808 mësimdhënës.

Fatura e kësaj darke ishte 7 mijë e 676 euro dhe ishte hartuar nga pesë drejtor shkollash në Drenas.

Pesë muaj pas kësaj darke dhe katër muaj pasi në krye të Drenasit u zgjodh Ramiz Lladrovci i PDK-së, në seancën e 29 marsit të Kuvendit Komunal të Drenasit është zbuluar një e vërtetë tjetër.

Darka është paguar nga Partia Demokratike e Kosovës, raporton Insajderi.

Këtë e kanë pohuar vet drejtori për Buxhet dhe Financa në PDK, Hamdi Krasniqi.

“Me përgjegjësi të plotë deklaroj se nga asnjë linjë buxhetore nuk është bërë një pagesë e tillë. Të paktën në bazë të dhënave që i kam nga kontabiliteti dhe Ministria e Financave. S’ka pas kontratë të lidhur mes Komunës dhe restorantit në fjalë që me marrë na përsipër si komunë këtë pagesë”, thotë Krasniqi.

Këtë e ka pohuar edhe shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Drenas, Idriz Hyseni.

“Desha ta sqaroj edhe Xhavitin edhe Sokolin, se darkat me mësues nuk janë nga buxheti komunal. Nuk është paguar ajo faturë nga buxheti komunal, kështu që mos e boni temë politike këtë punë. Atë darkë nuk e ka paguar komuna por partia”, thotë Hyseni, i cili mori fjalën pas asamblistit dhe ish-kandidatit për kryetar në Komunën e Drenasit, Xhavit Drenori.

Drenori i është referuar dokumentit të cilin e ka edhe Insajderi, ku shihet se përmban logon e Komunës së Drenasit dhe është hartuar nga pesë drejtor shkollash, njëri nga ta, Daut Thaqi, tash drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Drenas, i emëruar nga Ramiz Lladrovci.

E këtë ia ka përmendur Drenori, Thaqit.

“Atë raport e ke nënshkruar ti edhe pse ai raport qenka bërë për Partinë Demokratike të Kosovës. Atëherë ju nuk keni pasur fare të drejtë të bëheni drejtor  i arsimit sepse keni shkelë me dy këmbë në Ligjin për Arsim. Si drejtor i shkollës që ke qenë nuk ke pasur të drejtë me bo raport PDK-së për darkë e aq ma pak me logo të komunës. A e dini që mundeni me u ballafaqu me gjyqësorin, pse po gënjeni?”, ka akuzuar Drenori.

Lidhur me këtë darkë ka reaguar edhe një asambliste tjetër në Komunën e Drenasit e cila tha se ka qenë vet pjesmarrëse në atë darkë.

“Në fillim darka i është faturuar drejtorisë së arsimit, nuk mundesh me më thanë që nuk është ashtu. Por tani kur është bërë zhurmë e keni hjek e keni qu faturën në emër të partisë. Dhe ajo ka qenë faktikisht jo darkë e përvitshme po darkë politike, por e kam parë me sytë e mi faturën por tani e keni tërheq”, ka thënë asambleistja./Insajderi.com

Mos e humbisni:

Darka e fundit para turpit të madh