Darka e fundit para turpit të madh

Darka e fundit para turpit të madh

Pasi mbolli një pemë në Maltë dhe u tregua super shik me kostumin në një ndejë mbretërore, presidenti u shfaq i befasuar me një realitet të vrazhdë në vendin që ai e drejton. Rezultatet e një Programi zyrtar që rendisnin nxënësit e shtetit të tij krahas atyre të Republikës Domenikane, presidenti udhëzoi organet që “të merren tepër seriozisht”.

Presidenti fillimisht pranoi që arsimi në Kosovë “ka pësuar diskriminim dhe shkatërrim shumë gjatë”, pastaj tregoi se gjatë këtyre viteve të pas luftës “urgjente ishte të ndërtojmë shkolla dhe ta përmirësojmë infrastrukturën e përgjithshme edukativo-arsimor”.

Në fund tregoi se çka duhet bërë.

“Por, tash urgjencë është përmirësimi në të gjitha nivelet i kualitetit të arsimit në Kosovë”, H.TH

Por rezultati i PISA është bërë me një gjeneratë të cilën presidenti, si kryeministër e ka pasur në përgjegjësi ta bëjë që së paku të aftë që të shkruajnë dhe lexojnë.

Pisa, si test që bëhet çdo tre vite, 15 vjeçarët e Kosovës testuar në vitin 2015, me një përllogaritje të thjeshtë kanë hyrë në klasë të parë bashkë në kohën kur Qeveria  e Hashim Thaçit ka marrë pushtetin, dhe ministër Arsimi, ishte ministri i tanishëm i Arsimit, Arsim Bajrami.

E në fakt, dy javë para se të publikohej raporti i PISA, Bajrami si ministër i rikthyer në krye të Arsimit dhe Thaçi si president i vendit, kanë pasur një aferë të fundit me arsimin.

Një darkë, me “808 mësimdhënës, punëtor të administratës, pensionistë dhe punëtorë të shëndetësisë”, nga Drenasi .

darka1

 

Darka e organizuar nga Drejtoria Komunale për Arsim në Komunën e Drenasit, ishte mbajtur me 11 nëntor, një javë pasi Thaçi kishte shpallur 4 dhjetorin si ditë të zgjedhjeve në Drenas.

Thaçi dhe ministri i Arsimit Bajramit që tha se nuk duhet fajësuar Qeveria për të dhënat e PISA, kanë marrë pjesë në darkën 7 mijë e 676 eurosh, të cilën është dashur ta paguaj komuna e varfër e Drenasit.

Darka është mbajtur në restorantin e njëjtë ku një javë pas kësaj darke, pasuesi i Thaçit në PDK, Kadri Veseli, u paraqit së bashku me një anëtar tjetër të kësaj partie që deri në ato momente ishte kandidat i pavarur.

Bazaj tradhtoi elektoratin, por PDK nuk arriti të fitoi pa balotazh, ndërsa presidenti që kishte qenë edhe në Kaçanik në një darkë me mësimdhënësit, është përballur tri javë më vonë me disa rezultate të cilat e qesin në pah dështimin e sistemit të arsimimit t’i bëjnë nxënësit të aftë për të lexuar e shkruar.

Megjithatë në të dy darkat, presidenti lavdëroi jashtë mase mësuesit për siç tha ai punën që e kanë bërë këto vite në edukimin e një gjenerate që ai e ka quajtur gjenerata e së ardhmes në  Kosovë.

hotel-nobel

Në disa incizime nga këto darka, sidomos nga ajo në Drenas, presidenti e lidh këtë “sukses” edhe me punën që Qeveria dikur e udhëhequr nga ai ka bërë për të ndërtuar këtë sistem.

Por distancimi nga ky “sukses” ndodhi menjëherë kur rezultatet e PISA-s dolën në shesh nuk nënkupton edhe amnistimin e Thacit nga këto rezultate.

Thaçi si kryeministër por edhe tash si president është përgjegjësi kryesor i dështimit për të krijuar për të krijuar një sistem të edukimit në të cilin edhe mësuesit hynë në shkolla bazuar në dijen dhe jo në bazë të përkatësisë politike ose afërsisë me pushtetin dhe ku nxënësit notohen me të drejtë.

Por kjo nuk ka ndodhur këto 17 vite.

Ajo çfarë Thaçi ka bërë gjatë kohës sa ka qenë në pushtet, pra në Qeveri është manipulimi me rrogat e tyre. Thaçi si kryetar i PDK-së por edhe si kryeministër ka luajtur me rrogat e mësueseve për të siguruar votat e tyre. Por asnjëherë nuk ka bërë ndonjë hap që do të rriste cilësinë e arsimit.

Kjo dëshmohet edhe në serinë e Dosjes së Shefave të botuara nga Insajderi.

Prandaj edhe distancimi i tij si president nuk është i vlefshëm. I vlefshëm është dështimi që ai duhet të mbajë mbi supe./Insajderi.com