Dardan Gashi mbledh rreth vetes ish-rugovistët

Dardan Gashi mbledh rreth vetes ish-rugovistët

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka një numër të madh të ministrive, kurse akoma më i madh është numri i zëvendësministrave.

Ministrat po e shfrytëzojnë këtë mundësi për t’ua larë borxhin atyre që u ndihmuan gjatë fushatës. Një prej ministrive me shumë këshilltarë është edhe Ministria e Diasporës e drejtuar nga Dardan Gashi.

Dardan Gashi, i cili më herët kishte themeluar iniciativën qytetare “Lista Ibrahim Rugova” tani ka grumbulluar rreth vetes kryesisht ish-rugovistët si dhe një zëvendësministër nga radhët e komuniteteve.

Zëvendësministri Çerim Bajrami ka qenë si deputet në periudhën e pestë legjislative (2014 -2017). Ai ka qenë anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe atij për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthimit.

Bajrami ishte deputet i partisë boshnjake VAKAT dhe ka bërë pjesë në grupin parlamentar Gjashtë Plus.

Bajrami është i lindur më 30.11.1957 dhe është i martuar me Rajma Bajrami, kurse jeton në Prizren.

Ai është edhe publicist si dhe ka përgatitje të lartë profesionale – drejtimi teknik.

Edhe më herët ka qenë zëvendësministër në Ministrinë për diasporë. Po ashtu ka qenë botues dhe redaktor i gazetave në gjuhën boshnjake. Përveq gjuhës amtare flet edhe shqip dhe gjermanisht.

Në vitin 1995 ishte themelues i grupit për rishikimin e gjuhës boshnjake në shoqërinë kulturore të paqes “Selam”, kurse në vitin 1992 ishte pjesëmarrës aktiv në lëvizjen boshnjake dhe kosovare për të drejtat e njeriut dhe kombëtare.

Është autor i librit “Boshnjakët dhe gjuha  boshnjake në territorin e Kosovës”.

Zëvendësministri Faruk Nura, afarist i suksesshëm, ndër më të votuarit në zgjedhjet nacionale nga Komuna e Vitisë, ish-pjesëtar i stafit të Presidentit të ndjerë Rugova, ishte nominuar si kandidat i AAK-së, për kryetar komune në Viti në zgjedhjet e fundit.

Nura është i lindur më 25.10.1978. Faruk Nura ka qenë njëri prej aktivistëve të devotshëm të çështjes kombëtare, ndërkaq aktivitetin e tij politik deri vonë e ka zhvilluar nën siglën e LDK-së, dhe dy herë ka qenë kandidat për deputet i saj.

Arian Daci ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, dega në Farmaci. Është i lindur më 7 janar 1979. Është i martuar me Merita Mjekiqi-Dacin qysh nga viti 2005. Pos anglishtes, njeh edhe gjuhët e Ballkanit si serbisht, kroatisht, maqedonisht, boshnjakisht e bullgarisht.

Ai është i biri i akademikut Nexhat Dacit, i cilësuar si krahu i djathtë i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është një ministri e re, që nga opozita është cilësuar edhe si e tepërt. Megjithatë, ministri Besim Beqaj do të ketë edhe një këshilltar.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Bujar Cakolli, është emëruar zëvendësministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Cakolli është sekretar i degës së PDK-së në Prishtinë dhe ka qenë mjaft aktiv në aktivitetet e kësaj partie në kryeqytet.

Cakolli është i lindur më 23.10.1980 dhe bashkëjeton me Dona Qitakun. Ka punuar në ndërmarrjen “Ibër Lepenci” nga vitit 2011 e deri tani. Ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009 si dhe ka shërbyer si këshilltar në Qeverinë e Kosovës në periudhën 2007-2010.

Ka studiuar Shkencat Publike dhe Administratën Publike në Universitetin e Prishtinës dhe Politika Publike dhe Menaxhim në Kolegjin e Biznesit dhe Teknologjisë.