Daka: Zgjedhjet do të mbahen edhe në veri të vendit

Daka: Zgjedhjet do të mbahen edhe në veri të vendit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit do të mbahen edhe në veri të vendit.

Ajo ka thënë se KQZ-ja edhe në veri të vendit ka në çdo komunë zyrtarët e saj dhe se zgjedhjet do të organizohen si në pjesën tjetër të vendit.

“Zgjedhjet në veri do të organizohen si në pjesën tjetër të Kosovës. Ne i kemi atje katër zyrtarë tanë, pra në katër komuna kemi zyrtarët tanë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët i raportojnë KQZ-së dhe të cilët i bëjnë përgatitjet sipas ligjeve në fuqi dhe natyrisht që atje do të organizohen sikur edhe në pjesën tjetër”, ka thënë ajo.

Ajo për Radio Evropën e Lirë ka treguar se përsëri do të ketë ndihmë nga OSBE-ja por kësaj radhe do të ketë kompetenca reduktuese.

“Këtë herë përsëri do ta kemi ndihmën e OSBE-së, por, me një kapacitet jashtëzakonisht të reduktuar dhe me një kompetencë plotësisht të reduktuar vetëm në këshilla dhe ndihmë teknike”, ka thënë ajo.

Daka më tutje ka thënë disa organizata ndërkombëtare kanë bërë kërkesë që të jenë prezentë në ditën e zgjedhjeve por institucioni më i besueshëm për vëzhgim OSBE/ODIHR nuk do të jetë për shkak të politikave të ditura.

“Kushte për vëzhgim ka. Ne vetëm kemi filluar t’i pranojmë kërkesat e vëzhguesve qoftë ndërkombëtarë, qoftë nga organizatat e ndryshme botërore, të cilat do të jenë këtu prezent në ditën e zgjedhjeve. Ndërkaq, ne e dimë se OSBE/ODIHR, si institucioni më i besueshëm për vëzhgim, nuk vjen në Kosovë për shkaqe politike tashmë të ditura, sepse ne nuk jemi pjesë e OSBE-së. Shpresojmë që ndoshta edhe ata do ta ndërrojnë qasjen shumë shpejt dhe do të jemi pjesë edhe e këtij institucioni”, ka thënë ajo