Daka: KQZ-ja nuk është fajtore pse mijëra mërgimtarë nuk do të mund të votojnë

Daka: KQZ-ja nuk është fajtore pse mijëra mërgimtarë nuk do të mund të votojnë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se zgjedhjet e parakohshme, ishin shumë sfiduese, marrë parasysh afatet e shkurtra kohore për organizimin e tyre.

Ajo pranon se një pjesë e diasporës nuk do të mund të votojë, por thotë se KQZ nuk mund të fajësohet, ngase afatet kanë qenë të shkurta, kurse procedurat ligjore kërkojnë më tepër kohë.

“Deri më tani kemi pasur sfida pikërisht për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra. Një prej tyre, ka qenë edhe votimi jashtë Kosovës, ku ne padrejtësisht jemi sulmuar dhe atakuar se kinse me qëllim po i parandalojmë votuesit nga mërgata që fare nuk është e vërtetë”, ka than Daka.

Daka ka thënë se KQZ-ja kanë bërë të gjitha ato çfarë kanë pasur mundësi si në aspektin ligjor ashtu edhe teknik.

“Ne kemi bërë gjithë atë që kemi pasur mundësi, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë teknik që t’ua mundësojmë të gjithë atyre që janë me të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Ka edhe shumë sfida të tjera, duke filluar, nga ato që janë më banale, që është lodhja kronike që e përcjell gjithë stafin e KQZ-së, anëtarët, duke më përfshirë edhe mua, ku tanimë nuk kemi kohë për familje e as, si ta them, një jetë personale”, ka thënë ajo.

Daka ka pranuar se disa mërgimtarë do të mbesin po votuar, por sipas saj jo me fajin e KQZ-së por për shkak të proceduarave të komplikuar.

“Do të përgjigjem nga pjesa e dytë e pyetjes. Po, me siguri që mërgimtarët do të mbesin pa votuar, po jo me fajin e KQZ-së. Është fakt i pamohueshëm që ligji që është në fuqi, e parasheh mënyrën e aplikimit për regjistrim si votues, pastaj janë proceduara të komplikuara, të cilat po të ishin zgjedhje të rregullta do të zgjasnin me muaj. Kurse, neve kemi pasur 7 ditë që të aplikohet për regjistrim”, ka thënë ajo.