Daçiqi thotë se shqiptarët synojnë ta marrin Sanxhakun

15.08.2017 18:17
Daçiqi thotë se shqiptarët synojnë ta marrin Sanxhakun

Në artikullin e së përditshmes “Frankfurter Allgemeine Zeitung” mbi debatin aktual në Serbi për më shumë realizëm ndaj çështjes së Kosovës, nënvizohet se pas presidentit Aleksandar Vuçiq është ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ai që hedh ide për Kosovën.

“Serbia gjithmonë ka humbur përmes një politike jorealiste dhe utopike ‘gjithçka ka arritur me gjak’, shkruan Daçiq në një tekst me pasazhe luftarake, të botuar të hënën në gazetën ‘Novosti’”.

Sipas Daçiqit, qëllimi i shqiptarëve është krijimi i “Shqipërisë së Madhe”. “Kjo Shqipëri e madhe kërcënon të jetë ‘shteti më vital i Ballkanit’ dhe një instrument i ndikimit perëndimor në rajon.”

Daçiq vazhdon me paralajmërime se shqiptarët kanë në plan të bashkojnë veriun e Kosovës me Sanxhakun për të ‘rigjallëruar territorin historik-osman’.

“Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, sipas Daçiqit do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”

Propozimi i Daçiqit për zgjidhjen e problemeve të Serbisë nuk është edhe aq i ri – ndarja e Kosovës e bashkimi de jure i veriut të Kosovës me Serbinë. Përveç kësaj, sipas tij, “manastiret serbe dhe kishat e Fushë-Kosovës duhet të marrin statusin autonom”.

FAZ analizon se Daçiqi e shikon të vetmen zgjidhje realiste për Kosovën në atë ‘”që territoret ku jetojnë serbët, të bashkohen me Serbinë, dhe pjesët e tjera ku jetojnë shqiptarët të pavarësohen’.

Me sa duket Beogradi ndjek planin se pika që pikon pandërprerë do të jetë “ajo që do ta gërryejë Fushë-Kosovën”, shkruan FAZ. /DW/