Daçiq: Nëse BE pret që ne e njohim Kosovën më 2018, beson në përralla

Daçiq: Nëse BE pret që ne e njohim Kosovën më 2018, beson në përralla

Serbia është e përkushtuar për dialogun me Kosovën, por bisedimet do të vazhdojnë vetëm pasi pala serbe të marrë informacione konkrete lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se presin që autoritetet kosovare të identifikojnë dhe ndjekin penalisht personat përgjegjës.

“Vrasja e Ivanoviqit përbën një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha Daçiq, duke theksuar në të njëjtën kohë se anëtarësimi i plotë në BE mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme serbe.

Por, në një intervistë për radiotelevizionin e Vojvodinës, kryediplomati serb i quajti jo realiste pritshmëritë e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn lidhur me Kosovën.

“Nëse ata presin që ne ta njohim pavarësinë në vitin 2018, besojnë në përralla”, ishte komenti i Daçiqit.