Daçiq: Ekziston lista sekrete e Kosovës, dhe ne po përgjigjemi…

Daçiq: Ekziston lista sekrete e Kosovës, dhe ne po përgjigjemi…

Daçiq ka deklaruar për televizionin serb “TV Prva” se Serbia e di se “ekziston dokumenti sekret i Prishtinës – lista e vendeve me të cilët duhet punuar për njohje të pavarësisë së Kosovës”.

“Gjithashtu, në listë janë edhe vendet të cilat kanë marrë obligim që të lobojnë te ato vende për të pranuar ta njohin pavarësinë e Kosovës”, transmeton agjencia serbe Tanjug.

Pretendohet se vendet të cilat janë duke “punuar” për Kosovën janë Austria, SHBA, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, etj, ndërsa nga ana tjetër në cak janë Armenia, Algjeria, Bolivia, Egjipti, Xhamajka, Meksiko, Nepali, Sllovakia, Tunizia, Zambia dhe vendet tjera.

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar sot në mëngjes për TV Prva, se “Serbia qysh moti i di planet e Prishtinës dhe se bëhet fjalë për listën e cila vetëm tani ka dal në publik”. Ai ka thënë se, “përveç të ashtuquajturës listë të fshehët, Prishtina është duke ndërmarrë një sërë aktivitetesh të cilat po i kryejnë së bashku me disa vende perëndimore”.

“Atje bëjnë takime për afirmimin e pavarësisë së tyre, dihet se kush është i ngarkuar për cilin vend dhe me kë do të bisedojë”, ka “zbuluar” Daçiq.

Në pyetje se cila është përgjigjja e Serbisë në këto aktivitete të Kosovës, ai thotë se “përgjigjja e Serbisë është e dukshme sepse janë gjithnjë e më shumë vende të cilët po e tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

I pyetur se a do ta angazhojë Serbia ndonjë shtëpi lobuese e cila do të angazhohet për interesat e tyre, Daçiq ka thënë se “Serbia ka pasur një shtëpi të tillë që quhet Podesto, të cilën e ka angazhuar, porse ky bashkëpunim nuk ka shkuar mirë, sepse ajo shtëpi njëkohësisht ka punuar edhe për Kosovën”./Insajderi.com.