Colin Powell: Donald Trumpi është një “turp i kombit”

15.09.2016 08:34

Ish-Sekretari i Shtetit, Colin Powell, një gjeneral në pension me katër yje, i cili ka shërbyer nën tre presidentë republikanë, e ka quajtur kandidatin Donald Trump si “një turp kombëtar”, thuhet në emailet e tij personale, të parë nga BuzzFeed News.

Colin Powell: Donald Trumpi është një “turp i kombit”

Vërejtjet janë bërë në 17 qershor 2016, në një e-mail për Emily Miller, një gazetare e cila ishte dikur ndihmëse e Powellit. Në të njëjtin email, Powell shkruan se Trumpi “është duke shkatërruar veten e tij, nuk ka nevojë për demokratët që ta sulmojnë atë. Kreu i Kongresit, Paul Ryan është duke kalibruar edhe njëherë pozicionin e tij”.

Faqja e internetit DCLeaks.com – e cila ka raportuar, por nuk ka konfirmuar, lidhjet me shërbimet e fshehta ruse – ka siguruar emailet e Powellit. Ky mund të jetë shembulli më i fundit i një entiteti rus, që ndoshta po përpiqet të influencojë zgjedhjet presidenciale amerikane – në korrik, FBI deklaroi se besonte që Rusia ishte prapa hacker-imit të e-maileve të brendshme të Komitetit Kombëtar Demokratik, pak ditë përpara konventës së kësaj partie.

Në një email të datës 21 gusht, Powell i shkruan Millerit, duke e akuzuar Trumpin se i ka hyrë një lëvizjeje “raciste”, që beson se Presidenti Obama nuk ka lindur në SHBA.

“Po, e gjithë lëvizja e lindjes së Obamës ishte raciste,” shkruan Powell. “Unë këtë e besoj 99%. Kur Trumpi nuk e mbante dot atë temë, ai tha se donte gjithashtu të shihte nëse certifikata vë në dukje që ai ishte musliman”.

Powell tha për BuzzFeed News: “Nuk kam asnjë koment të mëtejshëm. Nuk jam duke e mohuar”.

“E kam thënë edhe më parë: E çfarë, edhe po të ishte? Muslimanët lindin si amerikanë çdo ditë”, i shkruan Powell ish-ndihmëses së tij.

Powell më pas flet për kualifikimet e presidentit Obama, duke përfshirë diplomimin e tij në Harvard si një redaktor i “Law Review”./bota.al