Çmimin “Shaban Jashari” e mori mësuesi nga Deçani

Çmimin “Shaban Jashari” e mori mësuesi nga Deçani

Çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësuesin e dalluar e ka marrë Beqë Metë Tahihaj. Këtë çmim ia ndau Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT).

Mësuesi Tahiraj është arsimtar i matematikës në Shkollën e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan.

Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira.

Mirënjohje kanë marrë edhe mësues të tjerë nga të gjitha komunat e Kosovës.

Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë e organizuar me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.

Ministri Bajrami me këtë rast theksoi se mësuesit kanë luajtur rol të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmes edukimit të brezave të shumtë.

“Mësimdhënësit janë personat kryesor nga të cilët varet e ardhmja e të rinjve. Kjo festë ndërlidhet me Epopenë e lavdishme të UÇK- së, andaj Ministria e Arsimit ka vite që ka themeluar çmimin e mësuesit të vitit me emrin e heroit tonë kombëtar Shaban Jashari, i cili ishte figurë unike e modelit të mësimdhënësit, që edukoi të rinjtë në frymën e atdhedashurisë dhe me shembullin e tij tregoi se si mbrohet atdheu”, tha ministri Bajrami.

Qeveria e Kosovës, theksoi ministri, është duke punuar në dhënien e rolit të merituar për mësimdhënësit, për t’i stimuluar ata që të ballafaqohen me sfidat  e mësimdhënies moderne.

Mësimdhënësi, i cili pranoi çmimin “Shaban Jashari”, Beqë Metë Tahiraj, theksoi se Kosova ka shumë mësues të mirë, megjithatë tha se ndjehet krenar për këtë çmim dhe falënderoi ministrin Bajrami dhe MAShT-in, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie./Insajderi.com