Çmimi i apartamentit në Tiranë ndër më të lartët në Evropë

08.11.2017 10:57
Çmimi i apartamentit në Tiranë ndër më të lartët në Evropë

Për personat me të ardhura mesatare, blerja e një apartamenti në Tiranë është sfidë më vete. Këtë thonë edhe statistikat, ku Tirana renditet në vendin e 241 nga 267 qytete të botës për sa i përket përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti të matur sipas fuqisë blerëse.

Megjithëse në vlerë absolute një apartament në Tiranë mund të blihet shumë më lirë se sa në kryeqytetet e Europës, në raport me të ardhurat çmimet janë disa herë më të shtrenjta.

Në Tiranë, sipas indeksit të Numbeo duhen 18.3 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Paris një familjeje i duhen 16.4 vite, në Vjenë 12.9 vite, në Nju Jork duhen 10 vite, në Zyrih 10.1, në Milano 17.8 vite ndërsa në Barcelonë mjaftojnë 13.1 vite.