Çmenduria e portierit që dërgoi CV-në e tij 48 klubeve në zarfe floriri

Çmenduria e portierit që dërgoi CV-në e tij 48 klubeve në zarfe floriri

Conor O’Keefe, student i ekonomisë, u bë portier i Fuenlabrada duke ndjekur një rrugëtim vendosmërisht alternativ.

E ka treguar në një listë të gjatë të dhënë për “Guardian”, duke rikujtuar të gjitha strategjitë e përdorura për tu punësuar nga një klub spanjoll.

“Më ka pëlqyer gjithmonë futbolli spanjoll. Nuk më konsideronin të gjatë për të bërë portierin? Claudio Bravo, Marc-André Ter Stegen e Keylor Navas nuk janë të gjatë por fitojnë tituj”, deklaroi O’Keefe.

Për të kërkuar një klub në Spanjë, Conor fillimisht shkroi e më pas u dërgoi një letër plot 48 klubeve, më pas mori një fluturim në korrik, mori me qira një makinë, dhe fjeti në një Airbnb për të vizituar të gjithë klubet.

“Nëse nuk mund të kem një menaxher, atëherë do të bëj atë që bën një menaxher. Krijova një dokument në programin Excel, ku përfshiva të gjithë klubet nga kategoria më e lartë e deri në fund”.

“Gjeta adresat e klubeve, i futa në Google Maps dhe pashë ata që ndodheshin në distancë më të shkurtër se një orë nga Madridi. Gjeta të gjithë numrat e telefonave të zyrave dhe adresat e e-mail. Mu desh një javë për të shkruar gjithçka, dukej fantastike. Ia nisa letrën të gjithëve nëpërmjet e-mail, por asgjë”, vijoi O’Keefe.

“Ndërkohë unë kisha edhe adresat dhe mendova t’ja shkruaj letrën me shkrim dore. Pastaj u kujtova edhe për një sipërmarrës që thonte se u kishte shkruar investitorëve duke përdorur zarfe floriri. Nëse merr një letër me zarf të artë mendon: ‘interesante!’. Bleva rreth 100 zarfe cilësore që nuk janë aspak të lira. U dërgova nga dy zarfe në çdo adresë, të gjitha të shkruara me dorë në spanjisht, të përkthyera nga e dashura ime Frankie. Postieri është miku im më i mirë, më shikonte çdo ditë në zyrat postare. Më ndihmonin të lëpija pullat, për të peshuar zarfet dhe për t’i dërguar ato. Por prap asnjë përgjigje”, zbulon anglezi.

“Atëherë thashë me vete: ‘Le të shkojmë. Kemi letrën tonë excel, kemi adresat tona dhe kemi një javë në dispozicion’. Morëm udhëtimin me avion më datë 12 korrik, morëm një makinë me qira, qëndruam në një Airbnb dhe vizituam 8, 9 apo 10 klube në ditë. Te Atletico Madrid i dorëzova një roje sigurie një letër për Cholo Simeone. Te Real as që u afruam ndonjëherë, pasi rrethimi me kangjella ndodhet gjysmë milje larg fushës stërvitore. U futëm te Getafe dhe te Leganes, na mundësuan që të ndjekim stërvitjen. Pjesa më e madhe e tyre ishin shumë të sjellshëm, madje edhe u takuam ballë për ballë. Kisha disa fraza të mësuara përmendësh të cilat i përsëritja, nuk flisja spanjisht, më pas fliste Frankie”, vijon tregimin portieri.

Një ditë trajneri i portierëve të Rayo kaloi teksa ne po linim një letër te recepsioni.

E takuan dhe O’Keefe e bindi që ta pranonin në stërvitje me skuadrën B. Por një sms një natë pak javë më pas i komunikoi se vendi i tij ishte zënë nga një tjetër portier.

“Më dukej se kisha dështuar, ndërkohë unë kisha kontaktuar edhe me Fuenlabrada. Thanë se kishin marrë katër letra të arta, dy për trajnerit dhe dy për trajnerin e portierëve. Duhet të kenë menduar: ‘cili është ai i çmendur anglez që dërgon letrat me zarfe të arta?’ Mund të kishin qeshur e të gajaseshin e pastaj t’i hidhnin në koshin e mbeturinave, por vlerësuan mundimin dhe më telefonuan”, rrëfeu O’Keefe.

Kjo është historia me fund të lumtur e portierit Conor O’Keefe, që nuk u dorëzua kurrë, deri sa gjeti një skuadër të gatshme për ta mirëpritur.

Më në fund sot O’Keefe do të takohet me Real Madrid në përballjen për Kupën e Mbretit, ndonëse nuk do të jetë në fushë, do të jetë gjithsesi një kënaqësi e papërshkrueshme.