Çka shkon lartë bie poshtë – balonat që vrasin lirinë e gjallesave

Kryebashkiaku i Tiranës, ka publikuar një foto me titullin “Foto e ditës” në të cilën shihet lëshimi i mijëra balonave nga shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu mbi qiellin  e Tiranës si simbolikë e festimeve të 28 nëntorit, festës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një nga aktivistët e rinj të ambientit dhe udhëtar i shpeshtë në natyrë, Adriatik Gacaferi ka dhënë një shpjegim mbi pasojat e lëshimit të balonave në hapësirë në raport me gjallesat e natyrës. Në këtë tekst për Insajderin, ai jep shpjegime bazuar në fakte shkencore dhe të dhëna zyrtare mbi ndikimin që balonat kanë tek shpezët, kafshët dhe gjallesat e detit.

Çka shkon lartë bie poshtë – balonat që vrasin lirinë e gjallesave

 

Në pamje të parë një grumbull aq i madh i balonave me ngjyra kuq e zi që fluturonin sot  mbi qiellin e Tiranes për Ditën e Flamurit (28 Nëntor 2016) mund të duket diçka e bukur si estetikë, por përtej asaj bukurie të përkohshme ndikimi negativ i tyre në natyrë do të jetë shumë i madh.

Si zakonisht çfarë shkon lart edhe do te bije poshtë. Rreth 90% e këtyre balonave shpërthejnë pasi të ngrihen në lartësinë mbi 3 kilometra. Balonat ndahen në copëza të vogla dhe bien poshtë.

E kur ato copëza balonash bien në tokë, pos që  ndotin mjedisin si copëza plastike që nuk riciklohen lehtë në natyrë. Ato do të jenë vdekjeprurëse për shumë kafshë të egra.

Disa nga këto copëza bien në det e disa në fusha, male apo bjeshkë.

Kur bien në det copëzat e balonave lundrojnë mbi ujë dhe kështu shumë gjallesa që jetojnë në det si peshqit, delfinët, breshkat etj.

Këto gjallesa i përziejnë këto copëza me ushqimin e tyre dhe pasi këto copëza gëlltiten ato do të përfundojnë në zorrën e tretjes së ushqimit dhe do ta bllokojnë atë. Në këtë mënyrë këto gjallesa do të jenë të paafta për të ngrënë ushqim me tutje dhe kjo qon në vdekjen e tyre.

gjallese1 gjallese2 gjallese3

Edhe kur ato bien në tokë ndodhë njëjtë, shumë kafshë të egra në tokë i gëlltisin ato.

Sistemi i tyre i tretjes nuk mund t’i tretë ato dhe kjo çon njëjtë sikur tek gjallesat e detit, edhe tek ato të tokës, tek bllokimi i zorrës së tretjes së ushqimit që qon deri tek vdekja e tyre.

Nga studimet e ndryshme që janë bërë për kafshët dhe shpezët e ngordhura tek shumë nga to janë gjetur copëza balona në stomakun e tyre. Po ashtu shumë shpezë te tjera te tërhequra nga ngjyra e copëzave të balonave tentojnë t’i marrin ato për t’i dërguar në foletë e tyre dhe shpesh gjatë këtij procesi, copëzat e balonave përfundojnë të lidhura në krahët apo këmbët e këtyre shpezëve që edhe qojnë në vdekjen e tyre.

Për këto arsye në disa vende të zhvilluara të botës lëshimi i balonave të mbushura me helium që fluturojnë në qiell është i ndaluar me ligj.

Kjo ka ndikuar në uljen e shitjen e balonave dhe natyrisht që shtija e balonave është një biznes. Kësisoj disa kompani që merren me prodhimin e balonave kanë nxjerrë në shitje disa lloje tjera të balonave duke tentuar të mashtrojnë njerëzit me mbishkrime në paketimet e balonave ku thuhet se këto janë produkte që riciklohen shumë shpejt, por në fakt as këto lloje të balonave nuk riciklohen shpejt.

Edhe këto balona vrasin shumë kafshe çdo ditë, dhe për këtë arsye vendet që kanë miratuar këtë ligj nuk e kanë ndryshuar për asnjë lloj balone.

Shumë organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve dhe mjedisit janë duke munduar të ndikojnë që ky ligj për ndalimin e lëshimit të balonave  të miratohet edhe në shtetet ku ende nuk është miratuar, e që në këtë grup të shteteve që se kanë këtë ligj bëjnë pjesë edhe Kosova dhe Shqipëria e cila këtë 28 nëntor lëshoj në qiellin e Tiranës mijëra balona të cilat kush e di sa kafshë do t’i mbysin.