Cilësimi i presidentit Thaçi për kundërshtarët e Demarkacionit

Cilësimi i presidentit Thaçi për kundërshtarët e Demarkacionit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur të merret sërish me kundërshtarët e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Madje ata i ka quajtur edhe si “zhurmëkotë të zakonshëm”.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se individë të tillë po plasojnë trillime në opinionin publik duke i mbajtur peng qytetarët me papërgjegjësinë shtetërore.

“Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, thuhet më tej në reagimin e presidentit Thaçi.

Sipas tij, në rast se institucionet shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin mund të jenë edhe më të rënda.

“Prandaj, është koha që institucionet tona shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private. Institucionet e Republikës së Kosovës, të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës, duhet të marrin vendim për këtë çështje në përputhje me obligimet dhe proceduarat, pa u ndikuar nga individë të caktuar”, ka shtuar më tej ai.

“Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, përfundon reagimi i presidentit Hashim Thaçi bërë në rrjetin social Facebook./Insajderi.com