Policia e Prokuroria janë të kapura nga politika e të ndikuara nga krimi. Përndryshe, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, kërcënimi i fundit ndaj shefit të OSHP’së dhe mbushja e " />

Cila polici? Cila prokurori?

Cila polici? Cila prokurori?

Policia e Prokuroria janë të kapura nga politika e të ndikuara nga krimi. Përndryshe, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, kërcënimi i fundit ndaj shefit të OSHP’së dhe mbushja e listave të veteranëve me mashtrues do të duhej të trajtoheshin seriozisht. Pa u pastruar polici e prokurori nga njerëz që i shërbejnë krimit e politikës, as që mund të flitet për drejtësi

Kur kritikohen ose akuzohen për shkelje ligji, përfshirje në krim të organizuar e korrupsion, zyrtarë të pushtetit i dëgjojmë tek thonë që të gjitha dëshmitë duhet të dërgohen në prokurori. Natyrisht, në një shtet me institucione të pavarura të drejtësisë, kështu do të duhej të ishte. Por, kjo nuk është e mundur të ndodh në Kosovë, ku këto institucione janë të kapura jo veç nga politika, por edhe nga grupe të tjera të interesit e individë të fuqishëm.

Rasti i shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Blerim Dina, tregon më së miri se në çfarë derexhe kanë rënë institucionet që janë përgjegjëse për të ofruar siguri për secilin qytetar të vendit.

Dina, i cili udhëheq një institucion shumë të rëndësishëm si OSHP’ja, përgjegjës për tenderët milionësh, ka thënë se është kërcënuar nga një biznesmen dhe një kushëri i Sami Lushtakut. Ai e ka bërë denoncimin edhe në polici. Por, kjo nuk ka mjaftuar që policia të reagojë menjëherë. Për më tepër, Dina është shprehur i pakënaqur me trajtimin që policia i ka bërë rastit të tij. “Më thanë se nuk është asgjë kjo. Shko flej e pusho edhe kalon”, ka deklaruar ai.

Dina pretendon se po i bëjnë presion për dy tenderë, një ndër të cilët ai multimilionësh për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, një pjesë të së cilës e ka fituar kompania “Sallahu”, pronë e Naim Sallahut. 13 kompani të tjera janë ankuar kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe eksperti shqyrtues i ka rekomanduar bordit të OSHP’së që të vendosë për anulimin e këtij tenderi.

Rasti tjetër ka të bëjë me atë për sigurimin fizik të objekteve të Universitetit të Prishtinës. OSHP ka hedhur poshtë ankesën e “Security Code”, që pretendonte se i plotësonte kriteret për ta përfituar këtë tender. Aksione në këtë kompani kanë familjarë të afërt të Sami Lushtakut.

Qasja e tillë e policisë ndaj një rasti të ndjeshëm si ky i Dinës dëshmon se ky institucion i rëndësishëm nuk mund të veprojë jashtë ndikimeve politike dhe është e domosdoshme që të çlirohet nga to. Ndryshe, Dina dhe të tjerë si ai, që denoncojnë raste të ngjashme, mund të pësojnë keq, në vend që të merren seriozisht dhe t’iu ofrohet siguri. Sepse njerëz në polici e në prokurori janë emëruar nga “të fortët” e politikës, ata që i kryejnë punët me një telefonatë, ata që janë pjesë e klanit.

* * *

Rastin e Dinës e bëri publik gazeta online Insajderi, kryeredaktori i së cilës, Vehbi Kajtazi, u sulmua fizikisht javën e kaluar. Drejtori Parim Olluri është sulmuar, po ashtu, javë më parë. Kajtazi pretendohet të jetë sulmuar nga njerëz të lidhur me politikën, për shkak të raportimeve të fundit të tij në lidhje me rastin e deputetit Milaim Zeka. Ai dyshohet për krim të organizuar, mashtrim e shmangie nga tatimi. Ndërkohë, Insajderi ka raportuar se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, e ka pritur në zyrën e tij Zekën një javë para arrestimit.

Sulmet ndaj gazetarëve tregojnë më së miri se çfarë i pengon njerëzit që dyshohet të jenë të lidhur me krimin, për realizimin e qëllimeve të veta. Ata nuk ia kanë frikën as policisë, as prokurorisë, por mediave dhe gazetarëve. Siç ua kanë frikën edhe pushtetarët të cilët, publikisht, sa për sy e faqe dënojnë aktet e dhunës ndaj tyre, por nuk është se nuk iu vjen mirë që ata po marrin “dënimin e merituar”.

Sulmet ndaj gazetarëve i ka inkurajuar puna jo e duhur e policisë dhe prokurorisë për t’i trajtuar këto raste. Në këtë mënyrë, keqbërës të ndryshëm, njerëz të kriminalizuar e të lidhur me krimin janë trimëruar që t’i qërojnë hesapet me gazetarët që ua qesin të palarat në shesh. Në këtë mënyrë gazetarët shndërrohen në shënjestër të lehtë për të gjithë ata që ndihen në rrezik se mund t’iu zbulohen idiotësitë dhe matrapazllëqet që i bëjnë në kurriz të shtetit dhe të qytetarëve.

* * *

Por, prokuroria nuk e ka kryer punën e vet as në një rast mashtrimi të madh, që do t’iu kushtojë shumë qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Mijëra mashtrues janë bërë pjesë e listave të veteranëve dhe paguhen nga paratë tona. Me dijeninë dhe ndihmën e komandantëve, ata përfitojnë ilegalisht, duke i rrezikuar edhe jetët tona. Të martën Qeveria e Kosovës vendosi që 17 milionë euro të parapara për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, t’iu ndahen për pensione veteranëve të luftës. Përveç veteranëve të vërtetë, nga kjo shumë përfitojnë mijëra të tjerë që nuk janë gjë tjetër veç mashtrues, por që politika i sheh si vota. E rëndësishme është që ata të mos mbeten keq. Punë e madhe se qytetarët jetojnë si kafshë, pa sigurime shëndetësore.

Andaj, kur i dëgjoni pushtetarët dhe të tjerë të lidhur me politikë e krim që për çfarëdo pretendimi a dyshimi duhet drejtuar prokurorisë, ata nuk po thonë gjë tjetër veçse t’iu drejtoheni njerëzve të tyre. Pa u pastruar polici e prokurori nga të tillët, as që mund të flitet për drejtësi.