Chelsea kërkon ta rrëmbejë Alexis Sanchez

Chelsea kërkon ta rrëmbejë Alexis Sanchez

Chelsea pritet të hyjë në negociata për të transferuar Alexis Sanchez, në rast se bisedimet për rinovim mes kilianit dhe Arsenalit dështojnë. Në qershorin e vitit të ardhshëm lojtarit i mbetet vetëm edhe një vit kontratë me “topçinjtë”.

Conte kërkon të përfitojë nga koprracia e Wenger që nuk pranon t’i ofrojë një pagë më të lartë Sanshez dhe ta transferojë në “Stamford Bridge” si partner për Diego Costan.

Kiliani aktualisht ka një pagë javore 130 mijë paund, por Chelsea mund t’i ofrojë më shumë. Por jo vetëm blutë, pasi mediet angleze raportuan për një megaofertë nga Kina, ku 27-vjeçarit i ofrohet një pagë javore 400 mijë paund, shkruan Tch.

Përfaqësuesit e futbollistit kërkojnë nga Arsenal që të përmirësojë kushtet në kontratën e re dhe Sanchez të hyjë mes lojtarëve më të paguar në kampionatin anglez me 200 mijë paund në javë.

Presioni është i gjithi mbi skuadrën e Wenger që rrezikon të humbasë një nga lojtarët më të mirë, por jo vetëm, pasi edhe Mesut Ozil ende nuk ka rinovuar dhe ashtu sikurse kiliani, edhe gjermani nuk është i kënaqur me 140 mijë paund pagë javore.