Çfarë thonë gratë e Afganistanit për 8 Marsin?

Çfarë thonë gratë e Afganistanit për 8 Marsin?

Gratë të cilat kanë humbur bashkëshortët dhe fëmijët e tyre në Afganistan, vend ky që prej 35 vitesh ndodhet në luftë të brendshme, janë përballë përpjekjeve për të mbijetuar mes skamjes dhe urisë.

Gratë të cilat më parë jetonin të lira në këtë vend, humbën të drejtat e tyre ekonomike, sociale dhe kulturore me ardhjen e talebanëve në pushtet. Ndërkohë edhe pse qeverisja e talebanëve mori fund në vitin 2001 gratë afgane ende nuk janë si më parë dhe përkundër çdo vështirësie mundohen të mbahen në jetë.

Gratë në këtë vend ku sundon ligji i ashpër i fiseve, pothuajse në çdo pjesë të jetës janë të diskriminuara. Në këtë vend ku sulmet gjinore dhe abuzimet seksuale janë ende të përhapura masivisht, shumë gra shkojnë drejt vetëvrasjeve duke e cilësuar këtë veprim si “zgjidhje të problemeve”.

Për Shirin-in 8 Marsi nuk ka asnjë kuptim

Për shumë gra në Afganistan 8 Marsi nuk ka asnjë kuptim, madje shumica e tyre nuk kanë asnjë dijeni për këtë ditë.

Një nga ata është edhe Sar-i Pullu Shirin. Ajo është nëna e 5 fëmijëve dhe bashkëshorti i është vrarë nga talebanët, ndërsa momentalisht është strehuar në rajonin Xhyzxhan, duke ikur nga padrejtësitë e talebanëve.

Në një deklaratë për Anadolu Agency AA, ajo thotë se edhe sot ashtu sikurse çdo ditë tjetër do të punojë në fabrikën e tullave.

“Nuk kam festuar ndonjëherë 8 Marsin si Ditën Botërore të Gruas”, thotë Shirin dhe më pas shton: ”Nuk e dija që gratë kanë një ditë të veçantë. Edhe sot më duhet të punoj për fëmijët e mi. Nëse nuk punoj mbetem pa ngrënë. Sepse unë jam shtylla e shtëpisë.”

Dhuna ndaj grave në vend në rritje

Sipas një raporti të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, dhuna ndaj grave në këtë vend gjatë vitit 2016 është rritur 5 herë. Ndërsa rajonet Gur dhe Herat janë më të prekur nga kjo dukuri.

Këshilltarja për mediat në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Afganistanit, Kobra Rezaei, thotë për AA se gjatë periudhës janar-shtator të vitit të shkuar ka pasur 4.909 raste të dhunës ndaj grave të cilat janë të regjistruara.

Duke vënë në dukje se shumë prej këtyre rasteve kanë përfunduar me vrasje, Rezaei ka shtuar se dhuna në familje ndaj grave dhe presioni social ndaj tyre është në rritje.

Rezaei ka vënë në dukje se dhuna më e shumtë e ushtruar ndaj grave është nga familjarët dhe bashkëshortët e tyre.

Kobra Rezaei ka thënë se në gjithë Afganistanin ka mbi 900 gra në burgje. Ajo vë në dukje se shumica e dosjeve as që janë marrë për shqyrtim, për këtë arsye disa nga gratë e burgosura qëndrojnë padrejtësisht.

Ndërsa vihet në dukje se shumë gra në këtë vend janë të dënuara për shkak të akuzave të “krimeve etike”. Kjo gjë nënkupton dhunën fizike ndaj grave që dalin kundër martesave pa dëshirë, etj.

Ndërkohë që gratë që braktisin shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dërgohen në burg si fajtore, përdhunuesit e tyre as që nuk ndiqen penalisht në këtë vend. Nga ana tjetër disa gra gjejnë si zgjidhje vetëvrasjen për të shpëtuar nga burgosja për akuza të tilla.