Çfarë synonte të përfitonte Rusia nga vrasja e Oliver Ivanoviqit?

Çfarë synonte të përfitonte Rusia nga vrasja e Oliver Ivanoviqit?

Është i njohur fakti se Rusia kishte provuar ta destabilizojë Malin e Zi, dhe përmes tij edhe rajonin në përgjithësi.

Madje ishte organizuar edhe puq, duke synuar që ta vrasin presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Megjithatë, kjo ishte parandaluar nga autoritetet malazeze.

Disa persona nga grupi janë duke u gjykuar për këtë komplot.

Por është dikush që mendon se Rusia synon ta destabilizojë edhe Kosovën përves disa vrasjeve, siç ishte së fundmi ajo e Oliver Ivanoviqit.

Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk ka fakte që Rusia të ketë dorë direkt në vrasjen e Ivanoviqit, por ka thënë se akuza të tilla kanë ardhur nga Serbia.

“Kam cituar akuzat që i ka bërë lideri i një partie opozitare në Serbi, Nenad Çanak”, ka thënë ai.

“E dimë se Rusia ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet në Mal të Zi. Ajo ka dashur të destabilizojë rajonin dhe kjo është mënyra e duhur për ta bërë – duke nxjerrë jashtë njeriun, i cili ka qenë i njohur për dialogun me shqiptarët”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Oliver Ivanoviq ka qenë njeri që ka folur rrjedhshëm shqipen, dhe i cili ka besuar në dialog.

“Ivanoviq ka folur rrjedhshëm shqip dhe ka qenë besnik ndaj kauzës serbe. Ai ka besuar në dialog. Ne nuk kemi prova se Rusia ka qenë e përfshirë në vrasje, por e dimë se ajo është e interesuar në destabilizimin e rajonit. Dhe, akuzat e liderit opozitar serb duhet të merren në konsiderim”, ka thënë ndër tjera Edward Joseph.