Çfarë simbolizonte gjarpri te ilirët dhe përse e mbanin në shtëpi?

Çfarë simbolizonte gjarpri te ilirët dhe përse e mbanin në shtëpi?

Sipas legjendës, besohet se çdo shtëpi e ka gjarprin e vet. Ata si rëndom, janë të qetë. Ndodh që gjatësia e tyre të jetë mbi dy metra, por populli i quan “gjarpërinjtë e shtëpisë” ose “gjarpri i shtëpisë”.

Ata lëvizin apo ecin nëpër shtëpi lirisht dhe askush nuk guxon t’i ngacmojë. Kështu që, shpeshherë i gjejmë nëpër teshat apo mbulesat e fjetjes, nën jastëkët, nëpër djepat e foshnjave, e kështu me radhë.

U jepet qumësht në vendet e caktuara, ku gjarpri i shtëpisë zakonisht e ka daljen e vet. Thuhet se nëse e mbysim gjarprin, atëherë ai i ndëshkon sa që në atë shtëpi ndodhin ngjarje të kobshme, u digjet shtëpia, mund të vdesë dikush prej anëtarëve të familjes, etj.

Është interesant të përmendet rasti i mbrojtjes nga magjia nëpërmjet kokës se gjarprit. Vajzat e bukura dhe nuset , me qëllim që të mbrohen nga magjia, e mbartin në qafë dhe midis gjinjve kokën e gjarprit.

Në fakt, kur dikush rastësisht gjatë punës së përditshme në fushë mbyste ndonjë gjarpër, ia merrte kokën, të cilën sipas nevojës më vonë mund ta mbante një vajzë ose nuse e shtëpisë.

Koka e gjarprit e mbajtur në qafë ose midis gjinjve është një ritual i trashëguar që nga ilirët, të cilët besonin në forcën mbrojtëse të gjarprit.

Gjarpri edhe sot e kësaj dite tek shqiptarët konsiderohet si “roje e shtëpisë” dhe mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saj e ka gjarprin e vetë i cili e mbron shtëpinë.

Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lihet i qetë. Pra, koka e gjarprit te shqiptarët e ka pasur kuptimin e një objekti sigurie për individin dhe shtëpinë.

Asnjë kafshë në simbolikën religjioze tek ilirëve nuk ka luajtur rol të rëndësishëm sesa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtëzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cila me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vetë njeriun, ka nxitur respekt nga frika.

Nuk është e rastit, pra, që gjarpri luan rol të rëndësishëm në religjionet dhe mitologjitë e të gjithë popujve që shtrihen në viset , ku jetojnë gjarpërinjtë, nga Amerika deri në Perëndim, e deri në Azi në Lindje, që prej kohërave paleolite e deri në ditët tona.

Tek ilirët, sidomos tek ata të Jugut, gjarpri është kafsha e cila me domethënien e vet të shumëfishtë zë vendin qendror në strukturën religjioze simbolike. Ai është kafshë toteme dhe kryetar i fisit ilir, simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellorisë, personifikim i shpirtit të të ndjerit, mbrojtës i vatrës së shtëpisë e mbi të gjitha kafshë mitologjike.