Çfarë parasheh reforma zgjedhore që Thaçi do t’i dërgojë Kuvendit

Çfarë parasheh reforma zgjedhore që Thaçi do t’i dërgojë Kuvendit

Presidenti Hashim Thaçi përveç projektligjit për transformimin e FSK’së, në Kuvend shumë shpejt do të dërgojë edhe propozimin për reformën zgjedhore, ku ndër ndryshimet kryesore është paraparë të jetë forma e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Thaçi në këtë propozim që do t’i dërgojë Kuvendit, siç e ka bërë të ditur edhe vet në disa paraqitje të tij mediale, do t’i kërkojë legjislativit të vendit, që ta ndryshojë formën e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Presidenti i vendit deri tani është zgjedhur me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, Thaçi po thotë, se ia në pajtim me shumicën e partive në vend, janë të pajtimit, që presidenti në të ardhmen të zgjidhet me votat e drejtpërdrejta të qytatarëve të vendit, shkruan gazetametro.net.

Propozimi i Thaçit për reformë zgjedhore, parasheh ndryshime edhe sa i përket listave zgjedhore për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Aktualisht, ligji parasheh që listat të jenë të hapura, dhe qytetarët me votën e tyre vendosin se cilit kandidat për deputetë t’i japin votën.

Ndërsa, me këtë reformë po shqyrtohet mundësia që ato të mbyllen, ku rol më i madh i jepet partive politike, në përzgjedhjen e atyre se kush do të bëhet deputetë. Kjo pasi, në këtë rast deputetë do të mund të bëheshin ata kandidatë që janë në krye të listës. Shembull, nëse një parti arrinë të fitojë 30 ulëse në Kuvend, mandatin e deputetit do të arrinin ta fitonin ata që në listë partia i ka renditur nga numri 1 i listës deri në numrin 30.

Ndryshime gjithashtu mund të pësojë edhe forma e zgjedhjes së kryetarëve të komunave. Pas propozimit për reformë zgjedhore që presidenti do të bëjë në Kuvend, partitë do të diskutojnë nëse kryetarët e komunave do të mund të zgjidhen në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, pa balotazh fare, apo siç ka qenë deri tani, ku nëse asnjëri kandidat për kryetar nuk ka arritur t’i marr 50 plus 1 për qind të votave, është shkuar në balotazh. /gazetametro.net