Dramaturgu kosovar akuzon drejtorin e Teatrit eksperimental në Tiranë për bllokim të shfaqjes

“Çfarë kërkon ky gomar në një institucion publik”

“Çfarë kërkon ky gomar në një institucion publik”

Shfaqja e radhës e Qendrës Multimedia e titulluar “Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” është dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, gjatë së hënës, por ka dështuar të jepet premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë.

Madje ishte planifikuar të jepej edhe në kuadër të një programi të titulluar “Quhem Ballkan” kuruar nga aktorja Ema Andrea, por nuk është dhënë, pasi sipas dramaturgut Jeton Neziraj që është edhe drejtor i Qendrës Multimedia, Teatri në Tiranë udhëhiqet nga njerëz, përkatësisht drejtorin që ka quajtur njeri jo normal.

“Është vërtetë e dhimbshme – por që na duhet ta themi: me shfaqjet tona kemi udhëtuar në dhjetëra vende Evropiane, por më besoni që, askund tjetër nuk kemi kaq shumë telashe sesa në Tiranë. Nuk po flas për publikun, të cilin e falënderoj që ka ardhur dhe na ka ndjekur vazhdimisht, po flas për këto copë institucione teatri, po flas për burokratët në këto institucione, për të cilët të vjen keq sesi janë katandisur kaq keq në mjerimin e primitivizmin e tyre”, ka thënë Neziraj për Insajderin.

Sipas tij, “ky teatër ku sonte është dashur të luajmë meriton një drejtor normal”.

Ai madje ka lexuar një pjesë fare të shkurtër nga komedia e planifikuar të jepet në Tiranë e që i drejtohet drejtorit të Teatrit.

“Çfarë kërkon ky gomar në një institucion publik”, ka thënë Neziraj duke shtuar se ndihen të fyer.

Shfaqja “një shfaqje teatri me 4 aktorë…” është shkruar nga një cinik kosovar, kurse regjinë e ka bërë Blerta Rrustemi – Neziraj. Në të luajn aktorët e njohur nga Kosova, Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani. Muzikant të shfaqjes jan Art Lokaj dhe Drin Tashi.

Ja reagimi i plotë e Jeton Nezirajt lidhur me anulimin e shfaqjes

Sonte, këtu në Teatrin Kombëtar Eksperimental, është dashur ta japim shfaqjen të cilën e kemi dhënë premierë mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Fatkeqësisht, kemi qenë të shtrënguar ta anulojmë, pa fajin dhe pa vullnetin tonë. Ekipi teknik ka udhëtuar që herët në mëngjes, në mënyrë që të përgatis dritat, skenografinë dhe zërimin e shfaqjes. Atyre u është thënë që skena e teatrit është e zënë deri në ora 17:00. E kemi bërë të qartë që kjo është a pamundur, sepse minimum që na nevojitet për ta përgatitur shfaqjen është 6 orë. Njerëzve të teatrit ua kemi bërë të ditur këtë gjë dhe u kemi shpjeguar që na duhet kohë dhe se nuk bëjmë kompromis me kualitetin e shfaqjes.

Rreth orës 15:00 më në fund u lajmërua edhe drejtori Kico Londo, të cilit ia bëmë të qartë që obstruksionet e kësaj natyre janë jo profesionale, të pahijshme dhe e rrezikojnë dhënien e shfaqjes. Ai pastaj është bërë arrogant, ka filluar të na fyej, të na kërcënoj dhe ka qenë i gatshëm të na sulmoj edhe fizikisht. Në këto rrethana fyese dhe në këtë trajtim tepër poshtërues, ne kemi qenë të shtrënguar ta anulojmë shfaqjen.

Është vërtetë e dhimbshme – por që na duhet ta themi: me shfaqjet tona kemi udhëtuar në dhjetëra vende Evropiane, por më besoni që, askund tjetër nuk kemi kaq shumë telashe sesa në Tiranë. Nuk po flas për publikun, të cilin e falënderoj që ka ardhur dhe na ka ndjekur vazhdimisht, po flas për këto copë institucione teatri, po flas për burokratët në këto institucione, për të cilët të vjen keq sesi janë katandisur kaq keq në mjerimin e primitivizmin e tyre.

Ky teatër ku sonte është dashur të luajmë meriton një drejtor normal.

Unë do të lexoj një pjesë fare të shkurtër nga komedia:

Çfarë kërkon ky gomar në një institucion publik.

Ndihemi të fyer.