“Çështjet me Serbinë zgjidhen me njohje dhe jo me pazare politike”

“Çështjet me Serbinë zgjidhen me njohje dhe jo me pazare politike”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e vetmja mënyrë që të përmbyllet çështja mes Kosovës dhe Serbisë është pajtimi mes dy popujve dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Këto komente Haradinaj i bëri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në Prizren.

Haradinaj, duke kujtuar Lidhjen e Prizrenit tha se burrështetasit e asaj kohe ishin përgatitur për kohë të vështira.

“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohë të vështira. Burrat e asaj kohe, shihet se kishin menduar ndër vite se mund tu vije ajo ditë, që në ditë të caktuar edhe shqiptarët të japin përgjigjen e tyre për të drejtën e tyre”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova gjendet në një periudhë të ndjeshme, pasi siç u shpreh ai, çështjet e pazgjidhura me Serbinë po mundohen që të zgjidhen “me pazare të reja” politike.

“Edhe sot i kemi marrëdhëniet e ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi, po synohet që të kthehet në pazare të reja politike. Është e padrejtë që të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme që të përmbyllet lufta e 99-ës është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur për rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit.

“Lidhja e Prizrenit themeloi vetëdijen kombëtare të shqiptarëve, krijoi standardet e patriotizmit dhe identitetit modern të shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë platformën dhe programin për çlirim dhe pavarësi”, tha Veseli.

Sipas Veselit, pa Lidhjen e Prizrenit, historia kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe siç tha ai, “aspak pozitive” për kombin.

“Pa Lidhjen e Prizrenit nuk do të ishte 28 nëntori i vitit 1912. Pa Lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës e cila e arriti kulminacionin e vet me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së vendit tonë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit, rrjedha e historisë tonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive nga ajo që e kemi sot për kombin tonë”, u shpreh Veseli.

Në Prizren sot do të mbahen një sërë organizimesh për të shënuar 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Më herët gjatë ditës është vënë gurthemeli i kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë së Lidhjes së Prizrenit.

Në ekspozitën, që është vendosur në ambientet e brendshme u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme.

Kjo ekspozitë përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qendror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 – 2018.

Shënimet për Lidhjen e Prizrenit organizohen nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe është në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit –Skënderbeut.