Celina për banderolën ofenduese: Isha gati të ballafaqohesha me ata njerëz

Celina për banderolën ofenduese: Isha gati të ballafaqohesha me ata njerëz

Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina ka thënë se banderola me mbishkrimin “Kosova është Serbi” e shfaqur në stadiumin e Twentes të dielën, ishte një përpjekje për ta nervozuar atë.

Mesfushori me tipare sulmuese i përfaqësueses së Kosovës, i cili është i huazuar tek ekipi i Twentes nga Manchester City, ka deklaruar se u ndje i ofenduar nga banderola e shfaqur nga disa tifozë të Twentes në ndeshjen ndaj Feyenoordit.

Në një intervistë me gazetën norvegjeze, Nettavisen, Celina ka rrëfyer momentin kur e pa banderolën me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në stadium. Ka thënë se ishte gati të shkonte ta hiqte vetë banderolën.

“Unë mendoj se kjo ishte një përpjekje për të më bërë nervoz mua. Mendimi i parë që më shkoj në mendje, ishte të shkoja e ta hiqja atë. Kështu që unë shkova vetë atje dhe u përpoqa që ta heqë. Unë kam qenë shumë i zemëruar dhe i zhgënjyer”, thotë Celina, raporton Insajderi.

20-vjeçari i tha gazetës norvegjeze Nettavisen se “Serbia është një shtet i cili nuk e njeh Kosovën si shtet”.

“Madje ata nuk duan ta njohin as përfaqësuesen tonë të futbollit”, rrëfen Celina.

Për Twenten luan edhe ish-reprezentuesi i Kosovës në futboll, Enis Bunjaki, i cili është transferuar tek Twente gjatë muajit janar, nga Eintracht Frankfurt. /Insajderi.com