Çelaj e quan Ahmetin Pinoko: VV e luti PDK-në me hy në koalicion

Çelaj e quan Ahmetin Pinoko: VV e luti PDK-në me hy në koalicion

Lirak Çelaj, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, ka reaguar ndaj deklaratës së Shpend Ahmetit i cili tha se Çelaj e ka lutë atë për koalicion me Vetëvendosjen.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Lirak Çelaj, tha për Express se deklarata e Shpend Ahmetit është shpifje, kështu duke thënë se tani po e kupton se pse qytetarët e Prishtinës e quajnë Ahmetin “Pinokio”.

“Unë tash po e kuptoj pse kanë nisë qytetarët e Prishtinës me e thirr atë Pinokio, tash gjithnjë e më qartë po e kam pse e ka këtë epitet. Kam fillu edhe me u brengosë mos ka probleme me halucinacione, sepse po flet për gjëra që nuk ekzistojnë hiç”, tha Çelaj.

Çelaj tha se ishte vetë Ahmeti, që ka bërë lufte të tilla, qysh në vitin e parë të qeverisjes, kështu duke i thënë se do t’ju jap drejtorë të shkollave vetëm e vetëm për të pranuar PDK të hyjë në koalicion me VV-në.

“Ata na kanë lutë neve, janë mundu me na joshë me gjithçka, edhe me çështje joparimore”, tregoi Çelaj, derisa tha se kjo ka ndodhur në vitin e parë të qeverisjes.

“Iu kemi thënë se nëse doni mund të hyjmë në koalicion, por ata kanë thënë se nuk munden me hy në koalicion, sepse Vetëvendosje janë kundër”, thotë Çelaj, e më pas thotë se po e citon Shpend Ahmetin: “s’po muj se s’po më lënë Vetëvendosja, ”, thotë Çelaj se kështu i tha Ahmeti.

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga PDK, tha se mbase Shpend Ahmeti iu ka referuar Dardan Molliqajt, për atë që i tha Shpendi Çelajt, “Vetëvendosja s’po më lenë”, mirëpo Çelaj tha se këtë nuk e di sigurt.

“Bile ka shkuar aq larg sa që thojke, qe po u jap drejtori të shkollave, e arsimtarë, por ne kemi refuzuar, sepse na nuk jemi për të bërë pazare të tilla, ne kemi dashtë të bëjmë koalicion parimor programor edhe me qeverisë e jo me bë pazare të ulëta”, tha Lirak Çelaj për Gazetën Express.

“Tash ai, merret me mua sepse e ka frikën, e kështu me shpifje po mundohet me bë diçka, por argumenti dhe e drejta është në anën time, të cilat ia kam qitë edhe në shesh, mirëpo ai nuk është marrë kurrë me to, por është marrë me tema joekzistente sepse s’ka me çka me i rrëzua argumentet të cilat unë i paraqesë”, deklaroi në fund kandidati i PDK-së për Prishtinën.