Çaste komike ne emisionin e Blendi Fevziut

Çaste komike ne emisionin e Blendi Fevziut

Një temë serioze kishte përzgjedhur për të diskutuar të enjtën në “Opinion” të TV Klanit autori i emisionit Blendi Fevziu, mirëpo disa prezantime lidhur me temën që i bëri gazetari shqiptar Artan Hoxha e ktheu në komik një pjesë të emisionit.

Me temën: “Kush po i përgjon politikanët”, emisioni “Opinion” po trajtonte një fenomen që jo rrallë herë ndodh në Shqipëri. Nga Dritan Prifti tek Saimir Tahiri, janë disa raste kur janë përgjuar politikanë e zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Por, për të identifikuar saktë se kush i përgjoi ata, nuk është dhënë asnjëherë asnjë vendim gjykate; ndoshta sepse nuk është e nevojshme kjo çështje më shumë sesa përmbajtja e atyre bisedave të përgjuara.

E një gazetar që pretendon se merret me hulumtime në Shqipëri, Artan Hoxha e ktheu në komik emisionin e së enjtës në “Opinion”. Ai pretendoi se e di saktë mënyrën e përgjimit të politikanëve dhe pajisjeve që përdoren në të tilla raste.

Gazetari Hoxha prezantoi disa pajisje regjistrimi audio dhe video në formë të një çelsi BMW X5, kopsash, vidash, orash etj.

Ai tentoi të shpjegonte për rastin e objektit përgjues që ngjan si një çelës makine BMW X5, duke treguar se “çelësi” në fjalë ka një kartë celulare të cilës mund t’i bësh zile nga një telefon e më tutje gjithçka është gati.

“Përgjimi ka nisur përmes këtij çelësi dhe t’i je i aftë të dëgjosh gjithçka”, shpjegonte Hoxha, teksa mbante një çelës në duar dhe ia prezantonte moderatorit Fevziu. “Çelësi nuk bie aspak në sy pasi nuk të jep përshtypjen e një përgjuesi.”

Këto prezantime të Hoxhës vetëm se e kthyen në komedi emisionin që parashihej të ishte serioz. I ftuar në studio ishte edhe ish-shefi i Shërbimit të Intelegjencës Shqiptare (SHISH), Fatos Klosi, i cili buzëqeshte gjatë kohës sa gazetari shqiptar prezantonte të gjeturat po ashtu komike të tij.

Artan Hoxha njihet si gazetar për “bombat” e tij me deklaratat e hipërbolizuara të cilat rrallëherë i mbështet në fakte e argumente bindëse. Madje, disa kohë më parë, ai kishte thënë se tre ish-kryeministra të Shqipërisë janë përgjuar nga Policia Italiane.