Caktohet masa e paraburgimit ndaj burrit dhe gruas që dyshohet se po planifikonin sulme vetëvrasëse në Kosovë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj burrit dhe gruas që dyshohet se po planifikonin sulme vetëvrasëse në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se është caktuar masa e paraburgimit kundër dy të pandehurve të dyshuar se po organizoninin akte terroriste në Kosovë.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.SH për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 3 lidhur  me veprat  penale: kryerja e veprës terroriste nga neni 136  dhe ndihma në kryerjen e terrorizmit nga neni 137 par. 3 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, Rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 të KPK-së dhe Përgatitja e veprës  terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetutës dhe sigurisë së republikës së Kosovës nga neni 144 par.3 lidhur me veprat penale kryerja e veprës terroriste nga neni 26 par. 1 të KPK-së dhe kundër të pandehurës E.H për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta ka kryer veprat penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 3 lidhur  me veprat  penale: kryerja e veprës terroriste nga neni 136  dhe ndihma në kryerjen e terrorizmit nga neni 137 par. 3 të KPRK, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të pandehurve G.SH dhe E.H iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se me dt 02.06.2018, i pandehuri G.SH me dashje direkte i ka bërë thirrje të pandehures E.H, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke udhëzuar që të bëjnë sulm vetvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në Kosovëdhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist, po ashtu i pandehuri G.SH dyshohet se gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë meqë është edhe shtetas belg, duke planifikuar sulm vetvrasës në vende të frekuentuara me qytetarë e që edhe me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës, në Pristhinë, i njëjti është arrestuar me dt.05.06.2018.

E pandehura E.H gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018 e tutje, në bashkëveprim me të pandehurin G.SH, është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.SH dhe E.H si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Palëtkanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.