Caktohet data kur nisin procedurat e “divorcit” mes Britanisë dhe BE-së

Caktohet data kur nisin procedurat e “divorcit” mes Britanisë dhe BE-së

Londra dhe Brukseli do të nisin procedurat e divorcit zyrtarisht më 29 mars. Kohëzgjatja e bisedimeve nuk dihet, por ajo që mund të thuhet me siguri është se ato nuk do të jenë të lehta për asnjërën palë.

Që pas referendumit që i tha “Po” daljes nga unioni, si Britania e Madhe, ashtu edhe Brukseli kanë nisur përgatitjen e strategjive për ndarjen. Një pjesë e këtyre strategjive është bërë publike, një pjesë tjetër mbetet ende sekret.

E sipas një strategjie të fshehtë të Brukselit, të paktën siç pretendohet në mediat holandeze, divorci mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian mund të përfundojë në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë.

I njëjti burim thotë se në draft-plan, BE do t’i kërkojë Londrës pagesën e një shume prej 57 miliardë eurosh si detyrim për përfitimet që vendi ka patur në 43 vite anëtar i Bashkimit Europian.

“Shihemi në Hagë!”, është titulli i mediave holandeze, që citojnë një zyrtar të lartë të BE-së, që ka dashur të qëndrojë anonim.  Përgjigjja e zyrtarit ka ardhur pas pyetjes së bërë se cilat do të ishin masat e Brukselit pas kërcënimit të kryeministres britanike, Theresa May, e cila tha se ishte e gatshme të kryente një shkëputje të njëanshme nga BE nëse bisedimet nuk ecin.