Buxheti i shtetit mund ta përballojë transformimin e FSK-së

Buxheti i shtetit mund ta përballojë transformimin e FSK-së

 

Projektligji për FSK-në i iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi, nuk do të paraqet asnjë pengesë për buxhetin e paraparë për këtë vit.

Këtë e thonë vetë Ministria e Financave, duke sqaruar se Ministria po bën vlerësimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji, shkruan gazetametro.net.

‘Ky buxhet reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet kurrfar pengese për transformimin në ushtri’, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për media në MF.

Ndërkaq, ministria thotë se një arsye pse nuk përbën problem për buxhetin ky projektligj, është se Qeveria e kishte paraparë shndërrimin e FSK’së, dhe buxheti ishte menduar edhe për këtë.

‘Vlerësimet janë që kërkesat buxhetore të këtij projektligji janë brenda ndarjeve buxhetore për 3 vitet e ardhshme siç janë paraparë me KASH, duke qenë se Qeveria edhe më parë e ka paraparë shndërrimin e FSK-së në Ushtri’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Gazetën Metro.

Po ashtu, Ministria sqaron se buxheti për FSK’në për vitin 2017dhe vitet në vazhdim, ishte bërë në koordinim me partnerët, dhe në të parashiheshin edhe avancimet e FSK’së.

‘Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për 2017 dhe për vitet në vijim është përgatitur në konsultim të ngushtë dhe në dakordim me partneret tanë të cilët e mbështesin avancimin e FSK-së’, ka shtuar Muharrem Shahini.

Ndërkohë, sot Ministria e Integrimit kishte proceduar në Qeveri projektligjin për FSK’në, duke e konsideruar si brenda të drejtave që njeh BE’ja. Po ashtu, para disa ditësh edhe Ministria e FSK’së kishte bërë të njejtën gjë. Kështu, vetëm ministria e Financave ka mbetur për të proceduar në Qeveri këtë projektligj, në mënyrë që të hapet rruga për procedim në Kuvend.

Ndryshe, projektligji për krijimin e ushtrisë u propozua nga presidenti Hashim Thaçi, e i cili u dorëzua në Kuvend para rreth dy javësh./gazetametro.net