Burgu i Dubravës nuk ua kthejë 13 mijë euro të burgosurve të liruar

Burgu i Dubravës nuk ua kthejë 13 mijë euro të burgosurve të liruar

Qendra Korrektuese në Dubravë u ka mbetur borxh mbi 13 mijë euro të holla të burgosurve të cilët ishin liruar gjatë vitit 2016, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016.

Në raportin e përpiluar nga Auditori Gjeneral për “Ministrinë e Drejtësisë – 2016”, thuhet se Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nuk u ka kthyer paratë disa të burgosurve të liruar gjatë vitit të kaluar.

Vlera e përgjithshme e parave që SHKK-ja nuk u ka kthyer të burgosurve të liruar arrin deri në 25,644 euro, raporton Insajderi.

“Ne kemi vërejtur që vlera prej 25,644€ janë para që nuk ju janë kthyer të burgosurve pas lirimit të tyre. Vetëm në Qendrën Korrektuese të Dubravës në fund të vitit 2016 vlera e mjeteve të pakthyera ishte 13,844€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka vlerësuar se paratë personale të të burgosurve të liruar, është përgjegjësi e SHKK-së, që t’u kthehen të liruarve nga burgu.

“Sipas zyrtarëve përkatës, disa prej të burgosurve, pas lirimit nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur vite me radhë. Por kthimi i mjeteve në llogari të te burgosurve është përgjegjësi e SHKK-së”, thuhet në raport.

Po ashtu, Auditori Gjeneral ka theksuar se “mbajtja e parasë së të burgosurve të cilët përfundojnë dënimet është në mos pajtim me ligjet e aplikueshme dhe rritë mundësinë që paratë e tilla t’i ekspozohen keqpërdorimit”. /Insajderi.com