Bunjaki i shqetësuar me vonesën e FIFA-s për gjashtë lojtarët

03.09.2016 22:38

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki ka thënë se është i shqetësuar me faktin se ende nuk e di nëse do t’i ketë në dispozicion gjashtë lojtarë që i ka grumbulluar për ndeshjen kundër Finlandës.

Bunjaki i shqetësuar me vonesën e FIFA-s për gjashtë lojtarët

“Në ballafaqim me Finlandën do të jemi të kujdesshëm por gjithnjë në ambiciet tona për një rezultat pozitiv. Ashtu siç e thashë i vetmi fakt shqetësues është lejimi i 6 futbollistëve nga FIFA e që po presim të ndodhë të hënën”, ka thënë Bunjaki.

Megjithatë, Bunjaki i ka cilësuar si efikase stërvitjet e kryera para sfidës ndaj Finlandës, dhe ka theksuar se ekipi është i gatshëm për ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin 2018.

“Kemi pasur një kamp përgatitor të shkurtër, por mjaft efikas në të cilin kemi punuar në mënyrë të qartë tekniko-taktike dhe gjërat që lidhen drejt për drejt me lojën kundër Finlandës. Normalisht që nuk është fakt i zakonshëm që nuk dimë ende për 6 lojtarë nëse do ti kemi në dispozicion apo jo”, ka thënë trajneri i Kosovës.