Bunjaki për mediumin francez: Më janë vrarë gjashtë të afërm në luftë

Bunjaki për mediumin francez: Më janë vrarë gjashtë të afërm në luftë

Albert Bunjaki kishte qenë student kur i ishte bërë ftesa nga Ushtria e Jugosllavisë që t’i bashkohej atyre në luftë, dhe pasi që Universiteti i Prishtinës nuk ishte funksional në vitin 1991, atij iu kishte dashur që të shkonte në luftë Kroaci.

Por nga rreziku i luftës, përzgjedhësi i Kosovës në futboll kishte ikur për në Suedi. Bunjaki, kështu kishte filluar një jetë me vështirësi. Ai kishte mbetur i “ngujuar” në Suedi, pasi nuk mund të kthehej në Kosovë. Ai konsiderohej dezertues i ushtrisë.

Në një intervistë me gazetën franceze Sofoot.fr, Bunjaki rrëfen jetën e tij prej emigranti dhe ndjesitë rreth luftës në Kosovë.

“Komunikimi me prindërit e mi ishte shumë i rrallë pasi që kushtonte shumë shtrenjtë, për 10 euro mund të flisje rreth dy apo tre minuta. Dhe pos kësaj duhej të prisje ndoshta edhe tërë ditën pasi që linja ishte e dobët apo nuk punonte”, rrëfen Bunjaki për kohën kur kishte filluar lufta në Kosovë.

Bunjaki thotë se frikësohej që një ditë do të merrte një lajm të hidhur të vdekjes së të afërmve. E kjo ndjesi Bunjakit iu kishte bërë realitet.

Ai thotë se gjatë luftës kishte humbur gjashtë të afërm të tij.

“Ne të gjithë kemi dikë që është vrarë gjatë luftës. Në familjen time të gjerë janë vrarë 36 njerëz. Kushëriri im, i cili është vrarë duke luftuar, për shembull. Gjyshja ime kishte pesë vëllezër, të gjithë mbetën të vdekur,” ka thënë Bunjaki për Sofoot.fr.

Më së shumti e kujton një thirrje nga nëna e tij, e cila në telefon i kishte treguar që kishte pasur gjenocid afër shtëpisë së tij, në fshatin Obri.

“Ajo po qante dhe bërtiste duke treguar që u kanë nxjerrë edhe fëmijëve sytë. Pas kësaj, humba sinjalin. Qava dhe qava, isha i shkatërruar. Ishte njëra ndër gjërat më të ashpra që më ka ndodhur në jetë,” ka thënë trajneri i Kosovës në futboll.

Edhe në ditët e sotme Bunjaki tregon që bisedon në lidhje me këtë gjë me nënën e tij.

Gjatë kohës së luftës, Bunjaki tregon se kishte folur dhe një herë me babanë e tij. Ai thotë se gjëja më e vështirë e kësaj telefonate kishte qenë komunikimi në gjuhën serbe.

“Më ishte dashur të flas me babanë tim në gjuhën serbe, pasi që ndryshe do ia ndërprisnin linjën përgjuesit. Kjo ishte gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj në jetë, të jem i detyruar të flas me babanë në gjuhën serbe,” është shprehur Bunjaki.

Si lojtar mjaft i mirë në kohën e tij studentore, Bunjaki ka vazhduar të luajë edhe në Suedi. Por për shkak të shpërnguljes së shpeshtë dhe gjendjes emocionale, karriera e tij ishte e vështirë të zhvillohej.

Por, Bunjaki është i kënaqur që ende sheh futboll të rrugës nëpër Prishtinë, por se kjo sipas tij do të zhduket së shpejti.

“Ku ke pasur një fushë futbolli, sot ke një ndërtesë. Por kjo është normale, shkon me zhvillimin ekonomik. Prishtina është shumë më e ndryshme nga jeta ime në Suedi. Atje unë dëgjoj zogjtë, këtu i dëgjoj automobilat,” pohon Bunjaki.

Si simpatizues i futbollit Bunjaki ishte fans i Jugosllavisë në fëmijëri, pasi edhe në atë kohë ai nuk mendonte për politikë, dhe ndër lojtarët më të mirë të asaj skuadre ishte edhe një shqiptar, Fadil Vokrri.

“Ne ishim krenar për presidentin e tanishëm të Federatës së Kosovës, Fadil Vokrrin. Ai ishte lojtari ynë i preferuar. Së bashku me Maradonën,” shprehet Bunjaki. /Insajderi.com