Bulliqi: Nga lista më largoi Kryesia e LDK-së, e patën nga frika

Bulliqi: Nga lista më largoi Kryesia e LDK-së, e patën nga frika

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shpëjtim Bulliqi ka thënë se shkaku që ai dhe disa kolegë të tij nuk u përfshinë në listën e kandidatëve të LDK-së për deputetë, është frika që patën udhëheqësit aktual të partisë ndaj rritjes së tyre.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Bulliqi ka thënë se Kryesia e LDK-së e largoi atë nga lista e kandidatëve për deputetë.

“Fatkeqësisht ata nuk u ndalën vetëm me mua, por larguan edhe kolegë tjerë shumë të respektuar nga elektorati i LDK-së. Motivi i këtyre largimeve është i ulët, ata që na larguan mua dhe kolegët kryesisht e bën si duket nga frika dhe respekti që ne gëzonim përditë e me tepër te elektorati i LDK-se e i cili respekt u forcua për shkak të qëndrimeve tona rreth disa çështjeve që ishin aktuale gjatë mandatit që lamë pas”, ka thënë Bulliqi.

“Largimi është bërë selektiv, pasi që nuk ishim pak kolegë që i kundershtuam disa çështje jetike për vendin dhe integritetin e tij. Me vie shumë keq për të gjithë anëtarësinë e LDK-së që janë zhgënjyer më këtë politikë fyese e linquese ndaj atyre që përkrahën vendimet e tyre lidhur me mos votimin e Thaqit për president vendi dhe cenimin e integritetit të shtetit tonë-demarkacionin”, ka thënë ai.

Bulliqi ka treguar se ka pasur oferta nga partitë opozitare, por që nuk ka dashur të futet në listat e tyre.

“Dua te ju bëjë me dije që gjatë kësaj faze kam pasur oferta nga disa subjektet opozitare për t’u futur në listat e tyre, mirëpo me gjithë respektin që kam për to i kam refuzuar sepse qëndrimet politike që i kam mbajtur gjatë mandatit i kam bëre sepse kam besuar në to e jo për të rifituar edhe një mandat”, ka deklaruar Bulliqi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë “njerëzit servil”, të cilët sipas Bulliqit, treguan edhe njëherë se mbi të gjitha e kanë interesin e tyre personal. /Insajderi.com