Bullgaria e gatshme të përforcojë kufirin me Turqinë

19.03.2017 12:50
Bullgaria e gatshme të përforcojë kufirin me Turqinë

Zyrtarët bullgarë kanë thënë se janë të përgatitur që të rrisin patrullimet dhe të përfundojë rrethojën me tela gjembore përgjatë kufirit me Turqinë, për të parandaluar ardhjen e migrantëve.

“Jemi të gatshëm të mbrojmë kufirin shtetëror, ashtu siç edhe na e lejon ligji”, ka thënë për AFP-në, ministri i Mbrojtjes, Sefan Tanev.

Ai ka shtuar se tash për tash, situata në kufi është e qetë dhe tentimet për të kaluar ilegalisht kufirin kanë rënë gjatë dy muajve të fundit.

Komentet e ministrit bullgar vijnë pasi Turqia ka kërcënuar se do të dërgojë 15,000 refugjatë në Bashkimin Evropian, pas përshkallëzimit të raporteve me BE-në, për shkak të tubimeve të anuluara për referendumin e Turqisë.

Turqia më 16 prill do të mbajë referendum, që do t’ia rrisë kompetencat presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ministrat turq po dëshirojnë që të fitojnë mbështetjen e komunitetit turk që jetojnë në vendet evropiane.