Britania do ta refuzojë referendumin e Skocisë për pavarësi

16.03.2017 20:58
Britania do ta refuzojë referendumin e Skocisë për pavarësi

Qeveria britanike pritet të refuzojë thirrjet për një referendum të dytë pavarësie në Skoci përpara “Brexit”-it, kjo sepse kryeministrja Theresa May është shprehur se “nuk është koha e duhur”.

Kreu i ekzekutivit britanik tha se fokusi tashmë duhet të kthehet te sigurimi i marrëveshjes më të mirë të mundshme në negociatat e “Brexit” për Mbretërinë e Bashkuar në tërësi.

Udhëheqësja e konservatorëve skocezë, Ruth Davidson tha se kërkesa e Nicola Sturgeon për votimin brenda pranverës së vitit 2019 do të refuzohet përfundimisht. Ministrja e parë e Skocisë, ndërkohë, ka thënë se bllokimi i referendumit do të sillte një “zemërim demokratik”.

Sturgeon, udhëheqësja më e lartë skoceze, tha për filialin skocez të BBC-së se, ky është një argument për pavarësi në kuptimin e plotë të fjalës, të cilin zyrtarë të “Westminster” mendojnë se kanë të drejtën ta bllokojnë, pikërisht mandatin e zgjedhur demokratikisht të qeverisë skoceze dhe shumicës së Parlamentit skocez.

“Ju e dini se historia do t’i rikthehet ditëve të sotme dhe do ta shohë këtë të mërkurë si ditën kur fati i unionit është nënshkruar”.

Sturgeon bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi të dytë në vjeshtën e 2018-s apo pranverën e 2019-s, gjë që në fakt përputhet me afatin përfundimtar të negociatave mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Por May këmbëngul kur thotë se mesazhi i saj ndaj Sturgeon ka qenë dhe është shumë i qartë: tani nuk është koha!

Kryeministrja britanike shtoi se “ne duhet të punojmë së bashku për arritjen e marrëveshjes më të mirë për Skocinë dhe për Britaninë, për partneritetin tonë me Bashkimin Europian. Do të ishte e padrejtë për popullin skocez, që të detyrohet të marrin një vendim të rëndësishëm, pa pasur informacionet e duhura për ta marrë atë vendim”.

May tha gjithashtu se vendi duhet të punojë bashkërisht dhe jo të përçahet.

Ndërkohë, Davidson ka thënë më vonë gjatë një konference për shtyp në Edinburg se, populli skocez duhet të ketë të drejtën të shohë sesi do të funksionojë Mbretëria e Bashkuar pas largimit nga BE, përpara se të vendosë nëse duan vërtet pavarësinë apo jo, njofton TCH.

“Njerëzve duhet t’u kërkohet të bëjnë një gjykim nëse duhet të largohen apo të qëndrojnë në Mbretërinë 300-vjeçare, vetëm kur të kenë parë sesi Britania do të funksionojë pas Brexit-it. Ata duhet të informohen gjithashtu edhe se çfarë iu ofron alternativa e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Davidson.

Skocia votoi 55% në favor të qëndrimit në Britaninë e Madhe në referendumin e shtatorit 2014, por pas vendimit të vitit të kaluar për “Brexit”, Sturgeon kërkon një tjetër referendum për vendin.