Britania po kërkon punëtorë për disa profesione deficitare

Britania po kërkon punëtorë për disa profesione deficitare

Duket se kriza me specialistë në sektorë si shëndetësia, inxhinieria dhe teknologjia e informacionit e kanë detyruar qeverinë e kryeministres britanike Theresa May të lehtësojë dhe vizat dhe kontratat e punësimit për këto profesione nga specialistë nga vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Zvicra.

Ministria e Brendshme edhe jo e Emigracionit, do të njoftojnë të premten se mjekët dhe infermierët dhe profesionet e mësipërme, do të përjashtohen nga kuotat e paracaktuara edhe kur ato arrijnë maksimumin në shifrën e afro 21 mijë vetëve.

Britania ka nevojë të madhe për mjekë, sidomos për pediatër, kardiologë dhe neurologë, si dhe infermier. Po ashtu nevoja të mëdha dhe vende të lira pune ka për specialistë të teknologjisë së informacionit, inxhinierë dhe mësues. Shërbimi shëndetësor britanik ka 35 mijë vende të lira pune për infermierë dhe afro 10 mijë për mjekë, përcjell TCH.

Opozita laburiste e mirëpret vendimin e qeverisë, ndërkohë që drejtuesit e shërbimit shëndetësor, NHS, ndihen të lehtësuar.

Sakaq në Shërbimin Shëndetësor Britanik ka një rritje progresive të mjekeve dhe infermiereve të ardhur kohet e fundit nga Shqipëria.

Kjo lëvizje e fundit e kryeministres Theresa May, duket se flet për një drejtim të ri të politikes britanike të emigracionit në periudhën post-brexit.