Britania investon në armët lazer

Britania investon në armët lazer

Armë lazer si ato që shohim në filma janë ende larg, por janë qartësisht në objektivat e ardhshme të ushtrive në të gjithë botën. SHBA e vende të tjera kanë eksperiementuar me disa forma lazeri për përdorime ushtarake dhe garës i është bashkuar së fundmi edhe Britania e Madhe.

Ishulli mbretëror duket se ka synime mjaft të qarta, pasi ka caktuar një kontratë prej 30 milionë stërlinash për prodhimin e një arme lazer prototip. Sipas udhëzimeve të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, qëllimi i programit është të shihet nëse ushtria mund të përfitojë nga kjo teknologji, madje duke kulmuar me një demonstrim praktik në vitin 2019.

Kontrata milionere ju dha një konsorciumi kompanish evropiane, të cilat kanë për detyrë “që të krijojnë armët lazer për perandorinë”, një batutë me referencë nga filmi “Star Wars” që nuk mund të kursehej nga komentatorët. Prototipi që pritet të jetë gati për dy vjet do të vlerësohet nga aftësia e shënjestrimit dhe goditjes së objektivit në distanca të ndryshme, në kushte të ndryshme metereologjike dhe mbi ujë e tokë.

Sipas Britanisë së Madhe, arma e re nuk po ndërtohet për t’u përballur me ndonjë rrezik specifik, por për të vlerësuar nëse ajo që deri dje ishte fantazi filmash, mund të bëjë pjesë në arsenalin ushtarak. Teorikisht, armët lazer ose armët me energji të orientuar mund të kenë përdorime nga më të ndryshmet, që tek shkatërrimi i mjeteve ajrore e deri tek bombat e fshehura buzë rrugës.

SHBA eksperimenton prej dekadash me lazerat me energji të lartë dhe vlerësohet se ushtria amerikane është në pararojë të këtij kufiri të ri.