Britania: Akuzat për përgjime janë absurde

Britania: Akuzat për përgjime janë absurde

Britania i cilësoi sot “absurde” pretendimet e Presidentit Donald se një agjenci britanike zbulimi ishte përfshirë në përgjimin e telefonatave të Kullës Trump dhe tha se kishte marrë garanci nga Shtëpia e Bardhë se akuza të tilla nuk do të përsëriteshin.

Një zëdhënës për Kryeministren Theresa May i hodhi poshtë komentet që bëri dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dhe tha se është e pamundur për Britaninë të përgjojë një shtetas amerikan si rezultati i marrëveshjes mes dy vendeve.

“Ia kemi bërë të qartë administratës dhe kemi marrë garanci se këto akuza nuk do të përsëriten,” tha zëdhënësi.

Shtëpia e Bardhë nxori më pas një deklaratë se Ambasadori i Britanisë Kim Darroch dhe diplomati britanik Mark Lyall i kishin shprehur shqetësimet e tyre zëdhënësit Spicer dhe Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Gjeneralit H.R. McMaster. Deklarata thoshte se zoti Spicer thjesht “po vinte në dukje njoftime publike, nuk po tregonte ndonjë variant specifik të ngjarjes”.

Dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer citoi një njoftim të rrjetit Fox News për të mbështetur pretendimet se një agjenci britanike zbulimi ishte përfshirë në përgjimin e telefonatave nga Kulla Trump.

Një zëdhënës i agjencisë britanike i hodhi dje poshtë akuzat, duke thënë se pretendimet e bëra nga një komentator në televizionin Fox News janë marrëzi.

Komentet e zëdhënësit Spicer u bënë ndërkohë që ai po përballej me pyetjet e gazetarëve që donin të dinin përse Presidenti Trump vazhdonte t’u mëshonte pretendimeve se është përgjuar në banesën e tij para zgjedhjeve, megjithëse ligjvënës amerikanë në Komisione të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat kanë thënë se nuk ka pasur përgjime.

Zëdhënësi Spicer i akuzoi gazetarët se po shtrembëronin proceset e zhvilluara nga komisionet e zbulimit.

Spicer tha se Presidenti Trump e kishte përdorur me thonjza akuzën “përgjim” në postimet e tij në Twitter dhe se bëhej fjalë për çdo formë përgjimi, jo thjesht përgjim të telefonatave.

Një numër figurash me peshë në Kongres, si republikanë, ashtu edhe demokratë e kanë hedhur poshtë pretendimin e zotit Trump se presidenti i mëparshëm Obama ka përgjuar Kullën Trump, grataçiela ku ka banesën kryesore Donald Trump dhe familja e tij dhe ku kishte qendrën e fushatës zoti Trump.