Brexit, qytetarët e BE-së do të udhëtojnë pa viza në Britani

17.08.2017 22:16
Brexit, qytetarët e BE-së do të udhëtojnë pa viza në Britani

Britania e Madhe ka në plan të lejojë udhëtimet pa viza në vend për qytetarët e Bashkimit Europian, pas “Brexit”-it.

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar, burime qeveritare thuhet të kenë konfirmuar se vizitorët nuk do të përballen me kufizime të reja. Megjithatë, ata që duan të punojnë, studiojnë apo të sistemohen në Britaninë e Madhe duhet t’u përmbahen rregullave të ardhshme të emigracionit, pasi vendi të shkëputet nga BE-ja në mars të vitit 2019.

Qeveria pritet të shpalosë politikat e ardhshme të emigracionit më vonë gjatë këtij viti. Një prioritet kyç do të jetë reduktimi i emigracionit, por ministrat këmbëngulin që kompanitë të kenë mundësinë e punësimit të punonjësve të aftë europianë.

Udhëtimet pa viza nuk nënkuptojnë liri lëvizjeje nën rregullat e Brukselit, që garantojnë të drejtën për të punuar në një shtet tjetër. Ndërkohë, qeveria britanike tha se ka besim që negociatat për “Brexit”-in me Brukselin do të jenë gati për të hyrë në fazën tjetër pas muajit tetor.

Deklarata vjen pas raportimeve që sugjerojnë se të dyja palët mund të detyrohen të shtyjnë bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe BE-së për shkak të progresit mbi çështjet prioritare.