“Brexit”-dilema britanike që zgjidhet me referendum

Të qëndrojmë apo të dalim nga Bashkimi Evropian? Kjo është dilema e fundit britanike. Referendumi i 23 qershorit do të vendosë për të ardhmen e marrëdhënieve të brishta të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

“Brexit”-dilema britanike që zgjidhet me referendum

“Brexit” është fjala më e dëgjuar në mediet britanike sot në Mbretërinë e Bashkuar. Qindra argumente pro dhe kundër hedhen nga të dyja taborret. Të dalim nga Europa, thonë konservativët radikalë e nacionalistët. Të qëndrojmë bërtasin laburistët. Për një djalë nga Ballkani si puna ime, ideja për të dalë nga i “shenjti” Bashkim Evropian duket absurde, por një gjë është e sigurt, me 23 qershor Mbretëria e Bashkuar vendosë a do të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane apo do të vazhdojë rrugën e vetme.

Kryeministri britanik, David Cameron, pati premtuar se çështjen e qëndrimit në BE apo jo do ta vendosë me referendum dhe kjo bëri që t’i siguronte votat e euro skeptikëve që janë jo të paktë në numër në Mbretërinë e Bashkuar. Historia e marrëdhënieve mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ka qenë e brishtë dhe plot kthesa. Vetë Britania nuk ka qenë një nga iniciatorët e idesë së Bashkimit Evropian.

Ideja e një super shteti evropian ka frikësuar gjithnjë Mbretërinë e Bashkuar. Fillimisht ideja e humbjes së primatit të një superfuqie politike e ushtarake të Evropës dhe prestigjit historik që ka gëzuar kjo mbretëri për shekuj pastaj siguria e kufijve, heqja e funtës, epërsia e aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në raport me ato vendore, zbehja e identitetit britanik, epërsia ekonomike dhe së fundi humbja e sovranitetit, janë disa nga ngurresat e përhershme të ishullit.

Pro daljes

Kampit “pro daljes” apo “Brexit” janë konservatorët radikalë në krye me ish-kryetarin e Londrës, Boris Johnson. Atyre u janë bashkuar partitë nacionaliste ndërsa në mediet britanike përflitet që edhe Mbretëresha Elizabet e II-të është pro daljes. Kampi “Brexit” insiston që ekonomia britanike do të shënonte rritje pasi të gjitha paratë që Mbretëria e Bashkuar i jep BE-së (rreth 45 milionë Euro në ditë) do të mund të investoheshin në vend.

Argument tjetër është edhe ruajtja e kufijve dhe kontrollimi i emigrimit të paligjshëm.  Kampi pro daljes pretendon që dalja nga Bashkimi Evropian do t’i bënte ligjet e BE-së jo obligative prandaj do të sigurohej më shumë sovranitet dhe liri për të vetë vendosur. Boris Johnson shkoi aq larg këto ditë për ta frikësuar publikun britanik duke deklaruar se “ideja e super shtetit evropian është ide e Hitlerit”. E gjithë kjo retorikë përcjellet me bëma e thënie të Ëinston Churchill dhe lavdisë së venitur të Perandorisë Britanike.

Pro qëndrimit

Kryeministri David Cameron i cili vetë ka iniciuar këtë referendum, ka vendosur ta përkrah qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE. Madje qeveria e tij po bën kampanjë pro qëndrimit. Në këtë pikë pajtohen edhe kundërshtarët historik të konzervatorëve, laburistët. Të dy palët pajtohen se qëndrimi në BE e bën Mbretërinë e Bashkuar më të fuqishme duke pasë parasysh që blloku i BE-së është blloku më i fuqishëm tregtar në botë . Besojnë se Mbretëria e Bashkuar, si  pjesë e këtij blloku, përfiton nga marrëveshjet e leverdishme tregtare që blloku i siguron në raport me ekonomitë me të mdha në botë siç janë SHBA-të, Kina, Brazili e Japonia.  Argument i radhës është se qëndrimi në BE i jep mundësi Mbretërisë së Bashkuar  për të ndikuar në vendimmarrjet  e Brukselit.

Ekonomistët e ndryshëm pretendojnë që në afat të shkurtër kjo do të ishte financiarisht e leverdishme pasi të gjitha “haraçet” drejt BE-së do të kanalizoheshin brenda vendit. Ndërkohë, Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhej t’i negocionte marrëdhëniet tregtare e ekonomike me më shumë se 77 shtete (28 vende të Bashkimit Evropian plus 50 vende tjera me të cilat BE-ja ka nënshkruar marrëdhënie tregtare të cilat aktualisht përfiton edhe Mbretëria e Bashkuar.)

Qeveritë e Skocisë dhe Uellist kanë paralajmëruar se në rast se Mbretëria e Bashkuar vendosë të dalë nga BE-ja atëherë ato do të iniciojnë referendumet e tyre për tu shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar.  Ashtu si Zvicrra dhe Norvegjia edhe pse jo anëtare të Bashkimit Evropian, detyrohen t’i respektojnë vendimet dhe rregullat e Bashkimit Evropian në raport me tregtinë dhe marrëveshje tjera bilaterale.

Mbretëria e Bashkuar do të vendoste lirshëm se kush mund të hyj e të dalë nga kufijtë e saj, përderisa statusi i miliona britanikëve që jetojnë në vende të BE-së (sidomos pensionistët që vendosin të migrojnë  në  jug të Francës, Spanjë, Itali e Portugali) do të vihej në pikëpyetje.

Cilat janë faktet ?

E vërteta është që  Mbretëria e Bashkuar gjithnjë ka pasur privilegje në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar nuk është detyruar ta ndërrojë valutën e vet edhe pse i plotëson kushtet për të qenë pjesë e Eurozonës.

Ajo nuk i bindet marrëveshjes së Shengenit që vlen për shumicën e vendeve anëtare të BE-së (madje edhe për disa shtete jo anëtare si Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda).

Ajo e vetme ka kundërshtuar për të pranuar refugjatë lufte nga Siria. Përderisa Gjermania ka pranuar më shumë se 1 milionë refugjatë nga Siria e Iraku, Mbretëria e Bashkuar është pajtuar të pranojë vetëm 3 mijë refugjatë dhe atë vetëm fëmijë jetim në faza të ngadalshme që do të zgjasnin deri në vitin 2020.

Argumenti që Mbretëria e Bashkuar paguan shumë në raport me BE-në mund të jetë i vërtetë, mirëpo në të njëjtën kohë ekonomia britanike ka lulëzuar më së shumti nga vendet e prekura nga recesioni i shkaktuar nga kriza ekonomiko-financiare globale e vitit 2008.

CEBR, Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesore, ka raportuar se ekonomia britanike ia kishte kaluar Francës në vitin 2014 duke u bërë ekonomia e pestë në botë.  E njëjta madje ka deklaruar se me këtë trend të rritjes ekonomike Mbretëria e Bashkuar do ta kalojë Gjermaninë në vitin 2020. Ky sukses ekonomik pa dyshim është meritë e masave ekonomike të ndërmarra nga qeveria e tashme britanike mirëpo kushtet për sukses janë dukshëm të varura nga leverdia e të qenit pjesë e bllokut evropian.

Edhe pse është folur shumë për taksat që Mbretëria e Bashkuar i paguan BE-së, ato janë diçka me shumë se 1 peni për 1 stërlinë.

Në Mbretërinë e Bashkuar sa herë flitet për politikën e jashtme dhe presionin politiko-ushtarak në radhë të parë vijnë “marrëdhëniet speciale” me Shtetet e Bashkuara. Mirëpo kjo e fundit i sugjerojë të qëndrojë brenda bllokut. “Më lejoni si mik i juaji t’ju them se Bashkimi Evropian e bën edhe më të madhe Britaninë” tha Presidenti, Obama para disa ditësh.

Në anën tjetër, rreziku gjithnjë e në rritje që i kanoset Bashkimit Evropian nga Rusia do të ishte edhe më i madh nëse Mbretëria e Bashkuar do të dilte nga blloku evropian. Dy anëtare të Këshillit të Sigurimit (Franca dhe Mbretëria e Bashkuar) me një arsenal bërthamor jo të vogël janë një fuqi globale që ofroj siguri për 550 milionë banorët e bllokut evropian.

Sido që të jetë rezultati i këtij referendum një gjë dihet.  Raportet e BE-së me Mbretërinë e Bashkuar kurrë më nuk do të jenë të njëjta. Ato ose do të qartësohen dhe ngushtohen edhe më tej ose do të mbushen me mosbesim dhe paqartësi. Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar se projekti i BE-së do të vazhdojë me apo Mbretërinë e  Bashkuar, megjithëse Brukseli do të dëshironte që Mbretëria e Bashkuar të qëndrojë brenda familjes evropiane.