Brenda pasigurisë së votave, zyrtari i Qeverisë është i bindur se Demarkacioni kalon

Brenda pasigurisë së votave, zyrtari i Qeverisë është i bindur se Demarkacioni kalon

Edhe pse ende zyrtarisht nuk është thënë se janë siguruar votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, i sigurt për këtë është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai beson se ligjvënësit e Kuvendit do të reflektojnë dhe me këtë edhe do të hapet mundësia për korrigjimin e gabimeve eventuale. Limaj lë të nënkuptohet se votat për Demarkacionin, tashmë janë siguruar.

“Ne presim që sot të kalojë Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi. Ne besojmë në reflektimin dhe detyrat që kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës, rëndësinë që ka kjo temë. Me kalimin e Demarkacionit ne i japim një mundësi korrigjimit të gabimeve eventuale. Besoj sot që secili deputetët do të jetë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive që kanë para vendit të tyre”, ka shtuar Limaj.

Ai është shprehur optimist se Demarkacioni do të kalojë sot, derisa i ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të votojnë demarkacionin, votimi i të cilit i hap një perspektivë të re evropiane vendit.

Limaj ishte i pari që mori iniciativën për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve për kufirin. Ai qysh nga muaji tetor kishte qenë i angazhuar në gjetjen e një zgjidhjeje për demarkacionin, i cili angazhim rezultoi me marrëveshjen në mes të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij nga Mali i Zi.

Koalicioni qeverisës është shprehur i bindur se dita e parë e pranverës do të ishte edhe ditë e ratifikimit të Demarkacionit.

Pas disa dështimesh, së fundmi, potencohej se janë mbledhur 80 votat e nevojshme për Demarkacionin, prandaj edhe ishte thirrur seanca./Gazeta Express/