Brazili rikthehet në majën e botës pas 7 vitesh

Brazili rikthehet në majën e botës pas 7 vitesh

Një ecuri mbresëlënëse nën drejtimin e Tite ka bërë që Brazili të rimarrë vendin e parë të renditjes së FIFA-s për të parën herë pas shtatë viteve.

Katër nga pesë skuadrat më të mira në renditje janë nga Amerika e Jugut. Pesë herë kampionët e botës kanë shijuar një ringjallje fantastike që kur Tite zëvendësoi Dunga-n në stolin e Selecao-s vitin e kaluar, duke fituar të gjitha ndeshje zyrtare që janë luajtur nën drejtimin e tij, një miqësore dhe tetë kualifikuese për Kupën e Botës.

Fitoret e fundit të brazilianëve erdhën muajin e kaluar kur ata mundën 4:1 Uruguain dhe 3:0 Paraguain. Këto dy fitore bënë që Brazili të jetë ekipi i parë që kualifikohet për në Kupën e Botës megjithëse kanë mbetur edhe katër ndeshje.

Një tjetër lajm i mirë për tifozët e Brazilit është se zëvendësuan pikërisht rivalët e Argjentinës në vendin e parë. Një pozicion që Brazili nuk e kishte mbajtur që prej vitit 2010. Gjermania është i vetmi ekip evropian që renditet mes pesë më të mirëve, ndërsa dy ekipet e tjera janë Kili dhe Kolumbia.