Brazil, korrupsion në polici, urdhër-arrest për 100 oficer

Brazil, korrupsion në polici, urdhër-arrest për 100 oficer

Autoritetet në Brazil kanë lëshuar një valë urdhër-arrestesh për rreth 100 oficerë të policisë ushtarake dhe 70 trafikantë, të dyshuar si të përfshirë në një skemë korrupsioni në një lagje të varfër të Rios.

Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, oficerët akuzohen se kanë pranuar ryshfete nga bandat e drogës në këmbim të ofrimit të shërbimeve, si mbrojtja e trafikantëve, furnizimi i tyre me armë dhe kryerja e pengmarrjeve për llogari të tyre.

Vlera e ryshfeteve thuhet se shkonte mbi 300 mijë dollarë në muaj. 50 nga 170 personat për të cilët është lëshuar urdhër-arrest janë arrestuar tashmë.

Autoritetet deklarojnë se bëhet fjalë për rastin më të madh të korrupsionit në vend, ku përfshihen policia ushtarake dhe trafikantët, që vepronin në lagjen Sao Goncalo.

Hetuesi Fabio Barucke tha për gazetarët se policët e arrestuar ishin “mollë të kalbura” që sekuestronin armë në një lagje dhe më pas ua shisnin bandave të lagjeve të tjera.

“Po bëjmë një veprim të mirë në dobi të shoqërisë duke larguar këta individë nga radhët e policisë. Policia ushtarake është një institucion i rëndësishëm për garantimin e rendit publik në shtetin tonë. Ndaj dhe kemi larguar këto “mollë të kalbura”, për të forcuar sigurinë”, ka thënë Barucke.