Braktis TvKlan për Mediaset?! Flet më në fund Alketa Vejsiu

18.11.2017 22:25
Braktis TvKlan për Mediaset?! Flet më në fund Alketa Vejsiu

Ditët e fundit në media është përfolur shpesh se moderatorja e njohur e TvKlan, Alketa Vejsiu do të “braktisë” televizionin e saj të dashur ku tashmë është bërë prej vitesh pjesë e pandarë e tij për të nisur një tjetër aventurë televizive në shtetin fqinjë.

Sipas zhurmës së krijuar thuhet se ikona e TvKlan do të fillojë një tjetër sfidë përkrah moderatorit të njohur italian, Paolo Bonolis në një nga mediat më të mëdha në Itali, Mediaset. Por në një prononcim ekskluzivisht për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Alketa ka përgënjeshtruar këto zëra. Ajo ka thënë se një gjë e tillë është thjesht një hamendësim i mediave. Gjithashtu, ajo ka shtuar se nuk ka ndërmend për momentin të largohet nga TvKlan dhe për më tepër ka nisur provat për një emision të ri me fëmijë, i frymëzuar nga emisioni i suksesshëm italian. Për me tepër intervista më poshtë.

– Është përfolur në media se do të filloni një projekt të ri në Itali në krah të Paolo Bonolis. Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht?

Ka pasur shumë tituj online të hamendesuar këto kohë! Filloj një spektakel të ri në Klan. Kam pasur gjithmonë një qasje për të bërë diçka edhe përtej kufijve dhe jam në rrugë të mirë. Vetëm kaq mund të them tani.

-Po për spektaklin në Klan mund të më thoni diçka më tepër?

Do bëj atë që bën Paolo Bonolis. Ai është stili i prezantuesit që pëlqej. Me humor, me batuta, me përmbajte. Po kërkojmë fëmijë që s’kanë asnjë pengesë në komunikim publik, që dinë të bëjnë pyetje, që ngacmojnë personazhet VIP që do jenë nga çdo fushë politikë dhe art.

Si emisioni “Avanti un altro”?

Jo, “Peter Pan”.

-Ju do jeni në krah të tij si përfundim apo është thjesht një zhurmë e mediave? Do jeni edhe në Klan edhe në Mediaset?
Për momentin jam në Tiranë, në Klan, me impenjimet e mia të zakonshme. S’e përjashtoj mundësinë që të bëj diçka më të mirë, më të madhe për Shqipërinë dhe për veten në Itali.

Emisioni surprizë që do të startojë së shpejti në TvKlan:

“Kush e futi ne kurth Peter Panin”

Vjen nga origjinali “Chi ha incastrato Peter Pan” ku moderator për 7 puntata radhazi është figura e njohur e televizionit italian, Paolo Bonolis. Një emision i tillë ka në qendër të vëmendjes dhe protagonistë të programit janë fëmijët nga mosha 4 deri në 9 vjeç, të prezantuar në çdo seri në grupe me rreth dhjetë veta; fëmijët në studio, sidomos në edicionet e para, iu nënshtroheshin pyetjeve mbi argumente që i përkasin botës së të rriturve, ose merreshin për të komentuar fakte të aktualitetit apo sportit.

Gjatë transmetimit ndërhyjnë edhe disa kategori personash, si për shembull: zjarrfikësit apo policët, të cilët u shpjegojnë fëmijëve punën që ata bëjnë dhe u mësojnë se si të sillen në rast emergjence, ose si t’i evitosh ato. Dy janë pjesët kryesore dhe thelbësore të programit: E para janë kamerat e fshehta, në të cilat fëmijët janë “viktima” të shakave të krijuara nga regjisori, si për shembull: të mbash një akullore në dorë pa e lëpirë gjatë mungesës në dhomë të moderatorit të emisionit; ndërkohë që pjesa e dytë, ajo më kryesorja, janë intervistat me të ftuarit VIP, gjatë të cilave fëmijët pyesin personazhet e spektaklit, të televizionit, të muzikës apo të sportit, për kuriozitetet që duan të dinë.
Ky mund të jetë edhe një nga shkaqet e udhëtimeve të shpeshta të bukuroshes së TvKlan në shtetin fqinjë. Një tjetër emision i suksesshëm do t’i shtohet ekraneve shqiptare, dhe protagonistë do të jenë ata që i japin më tepër esencë ekranit, fëmijët.