Bota ishte e dashuruar me simbolin e Svastikës deri kur e “vodhi” Hitleri

Bota ishte e dashuruar me simbolin e Svastikës deri kur e “vodhi” Hitleri

Në gjuhën e lashtë indiane të sanskritishtes, svastika do të thotë mirëqenie. Simboli është përdorur nga hindutë, budistët dhe jainët për mijëra vite dhe pranohet gjerësisht se është një shenjë indiane.

Udhëtarët e parë perëndimorë në Azi u frymëzuan nga mesazhi pozitiv dhe lashtësia e këtij simboli dhe nisën ta përdorin pasi ktheheshin në shtëpi.

Në fillim të shekullit të 20-të, ky simbol ishte në modë si një shenjë e fatit të mirë.

Në librin e tij “Svastika: Simboli përtej djallëzores”, shkrimtari amerikan Steven Heller tregonte se sa me entuziazëm ishte pranuar në perëndim një simbol i tillë në arkitekturë, në reklama dhe në dizajnin e produkteve.

“Coca- Cola e përdorte. Carlsberg e përdorte në shishet e birrës. Bojskautët e adoptuan dhe Klubi i Vajzave në Amerikë e kishte quajtur revistën e saj Svastika. Madje ata u dërgonin lexuesve të rinj disa svastika si shpërblim për shitjen e kopjes së revistës,” thotë ai.

Label from Swastika

Ky simbol u përdor nga njësitë ushtarake amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mund të shihet edhe në avionët britanikë në fund të vitit 1939.

Por përdorimi pozitiv i këtij simboli u ndërpre kur nazistët erdhën në pushtet në Gjermani.

Nazistët i përdornin svastikat bazuar mbi punën e disa studiuesve gjermane të shekullit të 19-të, të cilët përkthenin tekste të vjetra indiane. Ata kishin vënë re ngjashmëri mes gjuhës së tyre dhe sanskritishtes. Nazistët arritën në përfundimin se indianët dhe gjermanët duhet të kishin prejardhje të përbashkët dhe imagjinuan një racë me luftëtarë të bardhë, të ngjashëm me zotat, të cilët i quanin Arianë.

Ideja u kap menjëherë nga grupet nacionaliste anti-semitike, që e përvetësuan svastikan si një simbol arian për të shtuar ndjenjën e prejardhjes së lashtë të popullit gjerman.

Left: Grecian architectural swastikas at the National Museum of the History of Ukraine. Right: Decoration on the Brooklyn Academy of Music

Kryqi i thyer, ose hakenkreuz në gjermanisht, i vendosur në rrethin e bardhë dhe me një sfond të kuq të flamurit nazist u bë simboli më i urryer i shekullit të 20-të, i lidhur pazgjidhshmërisht me mizoritë e kryera nga Rajhu i Tretë.

“Për hebrenjtë, svastika është simbol i frikës, shtypjes dhe shfarosjes. Është një simbol që nuk do jemi më kurrë në gjendje që ta ndryshojmë,” thotë 93- vjeçari Freddie Knoller, i mbijetuar i Holokaustit.

“Nëse vendosnin svastika mbi varre apo mbi sinagoga, ata fusnin frikën te ne. Sigurisht që nuk do ndodhë më”.

Svastika u ndalua në Gjermani në fund të luftës dhe Gjermania tentoi, por pa sukses, që të mundësojë ndalimin e këtij simboli në mbarë BE-në në vitin 2007.

Ironia është se svastika është më shumë europiane në origjinë seç mund ta dinë shumë njerëz.

Zbulimet arkeologjike kanë treguar se svastika është një simbol shumë i vjetër, që nuk është i kufizuar vetëm në Indi.

Simboli është përdorur nga grekët e lashtë, keltët dhe anglo- saksonët dhe disa shembuj të vjetër janë gjetur edhe në Europën Lindore, nga Baltiku në Ballkan.

Nëse doni të shihni se sa të thella janë rrënjët e svastikas në Europë, një vend i mirë për t’ia nisur është Kievi.

Në Muzeun Kombëtar të Historisë në Ukrainë gjendet edhe një figurinë e vogël prej fildishi e një zogu femër. I bërë nga dhëmbët e një mamuthi, ajo është gjetur në vitin 1908 pranë kufirit me Rusinë.

Në muze ka edhe të tjera simbole me svastika, disa vazo që datojnë 4 mijë vjet më parë, shkruan mapo.al.

Disa njerëz mendojnë se kjo histori e gjatë mund të ndihmojë në ringjalljen e këtij simboli në Europë si diçka pozitive.