Boshnjakët kundër idesë së ndarjes së Kosovës

Boshnjakët kundër idesë së ndarjes së Kosovës

Asociacioni Nacional Boshnjako-Amerikan (BANA), me seli në New York, përmes një letre të hapët, drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, përveç kërkesës që në ekipin për dialogun me Serbinë të përfshihet edhe një përfaqësues i këtij komuniteti, ka shfaqur mbështetjen për një Kosovë të pandarë dhe kundër ndryshimit të kufijve të saj, transmeton Koha.net.

Delegacioni i Republikës së Kosovës në ekipin negociator (me Serbinë) në asnjë rast nuk guxon të lejojë krijimin e një “alla krijese gjenocide” siç i është imponuar në Bosnjë e Hercegovinë. Gjeneratat e ardhshme të Kosovës diçka të tillë kurrë e askujt nuk do t’ia falnin.

Në këtë letër thuhet:

Asociacioni Nacional Boshnjako-Amerikan, qoftë për shkak të anëtarësisë së tij- qytetarë të Kosovës, por edhe për hir të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe të lidhjeve miqësore me popullin shqiptar, ndjek me rregull lëvizjet politike dhe shoqërore në shtetin e Kosovës dhe në vendet që e rrethojnë. BANA (Bošnjačko-američka nacionalna asocijacija) dëshiron dhe ushqen shpresën që Republika e Kosovës t’ia dalë në rrugën e saj për forcimin e demokratizimit të shoqërisë në shtet dhe të forcimit ekonomik, veçmas që sa më shpejt të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, po ashtu të integrohet në Aleancën Euro-Atlantike.

Duam të theksojmë se ndjekim rregullisht zhvillimin e rrjedhave politike në gjithë shtetin e Kosovës, veçmas në pjesën veriore. Vlerësojmë përpjekjet e udhëheqjes dhe të të gjitha institucioneve të shtetit të Kosovës që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen me rrugë paqësore e demokratike.

Në letër pastaj thuhet:

Me këtë rast Asociacioni Nacional Boshnjako-Amerikan kërkon nga Ju përfaqësuesit e shtetit të Republikës së Kosovës që të përgjigjeni pozitivisht ndaj kërkesave që përfaqësuesit legjitimë të boshnjakëve në institucionet e Republikës së Kosovës po ashtu të përfshihen në dialogun përfundimtar dhe negociatat ndërmjet dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo letër jona bazohet në dëshmitë dhe faktet që na arrijnë nga anëtarët tanë që me familjet e tyre – pjesëtarë të popullit boshnjak, mbi shqetësimet e mëdha për shkak të zhvillimeve politike në disa komuna në veri të shtetit të Republikës së Kosovës. Po ashtu kërkesa me të drejtë nga ana diasporës jo e paktë në numër sidomos nga vendbanimi boshnjak Rvat, që është e shpërndarë gjithandej nëpër botë.

Në këtë drejtim Asociacioni Nacional Boshnjako-Amerikan Jua kujton se boshnjakët në komunat në veri, gjatë viteve të luftës por edhe vitet pas luftës në Kosovë kanë qenë të diskriminuar në të gjitha fushat e të drejtave njerëzore dhe minoritare, ndaj të cilave janë kryer krime të rënda lufte, vrasje të planifikuara, persekutime … Fatkeqësisht kryesit e krimeve ende nuk janë proceduar, gjë që në mas të madhe ka nxitur popullsinë boshnjake për shpërngulje masive nga kjo zonë.

Vlerësojmë se prania e boshnjakëve në ekipin negociator të Republikës së Kosovës në çfarëdo niveli është shumë e domosdoshme për hir të zgjidhjes së statusit të shtetit por edhe të statusit të tyre në atë pjesë të shtetit.

Nënvizojmë dhe theksojmë në emër të anëtarëve tanë, por edhe të bashkëkombësve në Kosovë dhe jashtë Kosovës, jemi ekskluzivisht për një Kosovë unike dhe të plotë, dhe kundër ndarjes etnike dhe rivizatimit të kufijve. Çfarëdo tregtie apo koncesioni në negociata në dëm të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve do të tishte tradhti ndaj territorit të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve, në këtë rast të boshnjakëve, të cilët jetojnë në numër të konsiderueshëm në veri të Republikës së Kosovës. Po ashtu delegacioni i Republikës së Kosovës në ekipin negociator në asnjë rast nuk guxon të lejojë krijimin e një “alla krijese gjenocide” siç i është imponuar në Bosnjë e Hercegovinë. Gjeneratat e ardhshme të Kosovës diçka të tillë kurrë e askujt nuk do t’ia falnin.

Presim nga Ju që brenda një afati sa më të shkurtër në ekipin negociator të ftoni përfaqësuesit legjitimë të boshnjakëve, të cilët janë patriotë dhe luftëtarë të dëshmuar për shtetin e Kosovës.

Rroftë Kosova e lirë dhe e tërë! – përfundon letra e hapur e Asociacionit Nacional Boshnjako-Amerikan.